Erion Murataj PSD

Në një kohë që kanë kaluar 17 vite nga masakra e Gërdecit ku mbetën 26 viktima, procesi gjyqësor ende po zvarritet.

Seanca në ngarkim të ish-ministrit të mbrojtjes, Fatmir Mediu u shtyu sërish për në datë 7 Prill. Mësohet se shkak u bë mungesa e tij i cili kishte një ftesë në Kongresin Amerikan nga data 24 mars deri në datën 1 prill.

Sipas avokatit Henrik Ligori, Mediu duhet të jetë vetë i pranishëm për të paraqitur komentet mbi akt ekspertimin tekniko ushtarak. Ndërkohë, avokati i familjarëve Dorian Matlia kërkoi që pretendimet të paraqiten njëherë me shkrim për ekonomi gjyqësore.

Gjithashtu në seancë ishte e pranishme edhe Zamira Durda, e cila tha që ka 17 vjet që pret drejtësi dhe procesi po zvarritet.

Zamira Durda, gruaja e cila humbi djalin e vogël, vijon të endet dyerve të drejtësisë për dënimin e përgjegjësve, me vlerësimin sipas saj të një krimi shtetëror. Ajo më herët ka thënë se ndihet e pambrojtur në sallën e Gjykatës së Posaçme, pasi ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu e ka kërcënuar, dhe askush nuk ka reaguar, as SPAK e as gjyqtarja.