Kur qeveria gjermane ndërmorri masa e reja anti-virus për shëndetin publik, demonstratat u bënë pjesë e aparatit politik.
Vëzhguesit u tronditën kur në muajin qershor panë me dhjetra mijëra njerëz që tuboheshin rregullisht anembanë vendit si një lëvizje e njohur si “Querdenker” (“mendimtarë lateralë”), e krijuar aty për aty.

Me degë në më shumë se 50 shtete, kjo lëvizje në faqen e saj në internet ka deklaruar se qëllimi kryesor është të mbështesë të drejtat themelore të parashikuara në Ligjin Themelor Gjerman – Kushtetuta e Gjermanisë – veçanërisht liritë e mendimit, shprehjes dhe tubimit.

Lëvizja Querdenker është krijuar në rrugë, nga një aleancë e pazakontë e lëvijeve të ekstremit të djathtë dhe ekstremit të majtë, si dhe nga një grup i vogël konspiracionistësh. Shpesh protestuesit shfaqeshin egërsisht të keqinformuar rreth virusit dhe si rrjedhojë mosbesues ndaj masave të ndërmarra nga qeveria.
Kundërshtimi ndaj masave të tilla është bërë më i përhapur në popullatë që nga bllokimi i parë i Gjermanisë në mars dhe prill: Frika fillestare nga infektimi me COVID-19 i ka lënë vendin shqetësimeve më të forta në lidhje me pasojat ekonomike të një mbylljeje të tejzgjatur.

Edhe përballë një shqetësimi global nga pandemia dhe shëndeti publik, është shumë e vështirë për autoritetet që të ndalojnë plotësisht protestat. Disa përpjekje të tilla në Berlin në muajt e fundit janë penguar nga gjykatat, të cilat kanë për detyrë të mbrojnë nga shkeljet kushtetuese. Gjykatat gjermane shpesh tentojnë të përkrahin të drejtat e njerëzve në raste të tilla.

Paulina Starski, një studiuese me eksperiencë e së Drejtës Publike të Krahasuar dhe së Drejtës Ndërkombëtare në Institutin Max Planck në Heidelberg, tha se ekziston sigurisht një rrezik që autoritetet mund të përdorin masa parandaluese të koronavirusit për të kufizuar liritë kushtetuese.

“Rregullat e reja gjatë mbylljes së vështirë çuan në një situatë, ku liria e tubimit u pezullua de facto në një masë të madhe,” i tha ajo DW në një intervistë në muajin gusht. Por vendimet e mëpasme të gjykatës që lejojnë demonstrata, e kanë korrigjuar atë që nga ajo kohë. “Është një problem themelor i situatës së koronavirusit që po diskutohet nga shumë avokatë kushtetues, sepse kishte një nevojë masive politike për të vepruar me qëllim mbrojtjen e shëndetit të popullsisë,” shtoi Starski. “Tani ne jemi në një lloj faze rishikimi – a po shkelen udhëzuesit kushtetues? Sepse nga pikëpamja kushtetuese, prirja është gjithmonë drejt mbrojtjes së lirisë.”