Kthesa historike në politikën e jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë është kthesë drejt Evropës dhe Perëndimit, jo mbyllje nacionale.
Pakgjë konkrete ta sugjeronte këtë kthesë historike të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Gjermanisë. Programi i koalicionit të ri qeveritar mban titullin “Të guxojmë më shumë përparim”. Është fakt se ky program i dy partive të majta, me krahe pacifiste, dhe i një partie të djathtë nuk mbetet pas programit të qeverive konservatore të Merkelit, në politikën e jashtme dhe të sigurisë.
Por hapat e parë të qeverisë së re të kujtonin vazhdimin e politikës së deritashme. Qeveria nuk deklaronte shprehimisht se gazsjellësi Nordstream 2 do të pezullohej, ndonëse e nënkuptonte këtë. Dërgimi i armëve Ukrainës përjashtohej. Qëndrimi ndaj Rusisë shpjegohej me të kaluarën.
Kjo ishte situata kur ofensiva e Rusisë kundër Ukrainës solli një tronditje tektonike të parimeve bazë të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë.
Java kur ndryshoi thuajse gjithçka
Kjo ishte situata kur të martën (22.02.) kancelari Olaf Scholz shpalli pezullimin e gazsjellësit Nordstream 2. Rusia kishte njohur republikat separatiste në Ukrainën Lindore. Katër ditë më vonë (26.02.) Gjermania vendosi t’i dërgojë armë Ukrainës. Rusia sapo kishte nisur ofensivën kundër Ukrainës. Dhe një ditë më vonë (27.02.) kancelari Scholz mblodhi parlamentin federal, Bundestagun, në një sesion të posaçëm, për shkak të situatës në Ukrainë.
Aty kancelari Scholz mbajti një fjalim historik. Me të ai shpalli riformulimin e elementëve të identitetit të politikës gjermane pas ribashkimit të Gjermanisë. Është një ndryshim historik i kursit të politikës së jashtme dhe të sigurisë të Gjermanisë. Ky ndryshim do ta ripërcaktojë rolin e Gjermanisë në botë. Fjala e kancelarit Scholz përmbante pesë pika themelore. Nga mënyra e ndërtimit të fjalimit dhe nga atmosfera, jo pak njerëzve iu erdhi në mend fjalimi me dhjetë pika i kancelarit Helmut Kohl, me të cilin ai përcaktoi hapat për ribashkimin e Gjermanisë.
Elementët e kthesës
Nga pesë “detyrat për veprim” që rreshtoi kancelari Scholz në fjalën e tij, ndryshimet madhore prekin së pari politikën e sigurisë. Dhe së dyti politikën energjetike të Gjermanisë.
Në politikën e sigurisë mund të flitet për një ndryshim revolucionar. Kancelari Scholz deklaroi që Gjermania do ta trefishojë këtë vit buxhetin e mbrojtjes. 100 miliardë euro të tjera, fonde speciale, u shtohen 49,9 miliardë eurove, shpenzimeve ushtarake të planifikuara për këtë vit.
Por ndryshimi revolucionar konsiston, para së gjithash, në shpenzimet e ardhshme për mbrojtjen. Gjermania do të shpenzojë për mbrojtjen, që nga viti i ardhshëm, më shumë se 2 përqind të PBB. Pra do të shpenzojë më shumë se 71 miliardë euro në vit. Kjo do të thotë që Gjermania do të bëhet fuqia e tretë në botë për shpenzime ushtarake, pas SHBA dhe Kinës. Gjermania do të bëhet një fuqi e madhe ushtarake e Evropës. Jo vetëm këtë vit, por edhe prej vitit të ardhshëm Gjermania do të shpenzojë më shumë se çdo shtet tjetër evropian për mbrojtjen.
Ministri gjerman i Financave, Christian Lindner i tha ARD-së se “qëllimi ynë… është që gjatë kësaj dekade të kemi një nga ushtritë më efektive, më të fuqishme në Evropë”. Do të fiksohet edhe në kushtetutën e Gjermanisë që fondet ushtarake të mos preken, të mos përdoren ndryshe, edhe po të ndryshohen qeveritë.
Numri i ushtarëve të Gjermanisë ende nuk është tematizuar. Deri 31 vjet më parë, Gjermania kishte 500.000 ushtarë. Sot numri i ushtarëve është 183.758. Për strukturën e ushtrisë Gjermania do të ruajë strukturën me ushtarë profesionistë dhe vullnetarë, të përgatitur për detyrat e kohës. Thirrjet për rifutjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak kundërshtohen nga shumica e partive, të paktën për aq kohë sa nuk rrezikohet territori i Gjermanisë. Ringritja e strukturave për shërbimin e detyrueshëm ushtarak do të thithte fonde urgjentisht të nevojshme.
Scholz: „Ndryshim epokash”
Vlen të kujtohet se ishte kërcënimi i Bashkimit Sovjetik për demokracitë e paqen, që e bëri Gjermaninë të riarmatosej pas Luftës së Dytë Botërore. Të riarmatosej vetëm pesë vjet pas Luftës së Dytë Botërore.
Tani është kërcënimi rus për demokracitë e paqen, që Gjermania vendosi të bëhet fuqi e madhe ushtarake në botë.
Kancelari Scholz tha në fjalimin e tij se po përjetojmë “një ndryshim epokash”. “Kjo do të thotë se bota më pas, nuk është e njëjta, si bota më parë”. “Do të na duhet të investojmë shumë më tepër për sigurinë e vendit tonë.”
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se “Gjermania lë pas sot një formë të veçantë dhe të vetmuar kufizimi në politikën e jashtme dhe të sigurisë”. “Kur bota ndryshon, duhet të ndryshojë edhe politika jonë”, tha ministrja e Jashtme gjermane.
Kthesë e Gjermanisë drejt Evropës, jo drejt vetes
Një investim kaq i madh ushtarak do të theksojë një rol të ri të Gjermanisë. Kancelari Scholz skicoi konturet e këtij roli. Me investimet masive ushtarake Gjermania jo vetëm do të bëhet shumë më e aftë për të mbrojtur veten. Scholzi deklaroi se Gjermania është e vendosur që me aftësitë e saj të mbështesë NATO-n, ta mbrojë aleancën.