Dy shtetas janë arrestuar nga policia në Gjirokastër teksa po transportonin me furgon 10 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë.
Gjatë operacionit të policisë u vunë në pranga shtetasit E.R., 48 vjeç banues në Korçë dhe G.H., 38 vjeç banues në Tiranë.
Ata u kapën në aksin “Gjirokastër-Tepelenë” teksa po transportonin drejt Tiranës 10 emigrantë që synonin të hynin ilegalisht në vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit fizik shtetasit E.R., që drejtonte furgonin iu gjet një sasi e dyshuar kokaine.
Njoftimi i Policisë:
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Collaboration”, si rezultat i punës së inteligjencës policore, për të garantuar sundimin e ligjit në territor.
Transportonin me furgon, 10 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, arrestohen 2 shtetas.
Drejtuesi i furgonit kishte me vete një sasi lënde narkotike kokainë, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin dhe me një shumë parash të përfituar nga kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të inteligjencës policore, për 2 shtetas që do të transportonin kundrejt pagesave, emigrantë nga Vendet e Treta, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e AMP Gjirokastër-Vlorë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Collaboration”.
Gjatë operacionit u vunë në pranga shtetasit E. R., 48 vjeç banues në Korçë dhe G. H., 38 vjeç banues në Tiranë.
Ata u kapën në flagrancë, në aksin nacional “Gjirokastër-Tepelenë”, teksa transportonin drejt Tiranës, me një furgon që drejtohej nga shtetasi E. R., 10 emigrantë, të cilët synonin të kalonin ilegalisht në vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga kontrolli fizik, 48-vjeçarit iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike kokainë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.