Raportimet se WhatsApp po punonte për të sjellë një shërbim të ri multi-device support kanë qarkulluar shpesh në internet, dhe tashmë platforma ka filluar lançimin e shërbimit të shumëpritur.

Update-i i ri i aplikacionit do të lejojë të gjithë përdoruesit në iOS dhe Android të përdorin disa pajisje njëkohësisht për të biseduar me miqtë e tyre, dhe kur smartphone-i kryesor nuk ka akses në internet.

Përmes këtij shërbimi, përdoruesit do të mund të përdorin adresën e tyre deri në 4 pajisje në të njejtën kohë. Nëse smartphone-i kryesor është inaktiv për më tepër se 14 ditë, atëherë të gjitha pajisjet e lidhura do të shkëputen automatikisht. Në këto 4 pajisje do të mund të përfshihen dhe laptopët apo PC.

Këta përdorues nuk do ta kenë më të nevojshme që të kenë të lidhur pajisjen e tyre në internet gjatë kohës që aksesojnë WhatsApp në një pajisje tjetër. Gjithashtu WhatsApp konfirmoi se end-to-end encryption do të aktivizohet në të gjitha pajisjet ku aplikacioni do të përdoret.

Për të aksesuar shërbimin e ri, ju duhet të update-oni WhatsApp në versionin e fundit. Fillimisht do t’ju duhet të hapni WhatsApp në smartphone dhe të klikoni në “Select Linked Device”. Pas saj klikoni në “Link a Device” dhe të vendosni kodin tuaj.

Hapni në PC ose laptopin tuaj faqjen në web ose aplikacionin WhatsApp Desktop dhe skanoni kodin QR me smartphone-in tuaj. Tashmë pajisja do të lidhet dhe mesazhet do të mund të dërgohen nga të gjitha pajisjet e regjistruara.

Megjithatë shikimi i live location nuk do të jetë i mundur në pajisjet e lidhura.