Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Dorian Beun, 46-vjeçarin e arrestuar të dielën në zonën e Malit të Tomorrit.

Beu ka kundërshtuar vendimin para gjykatës, duke deklaruar se për të njëjtën çështje është në proces gjyqësor në Itali dhe se në vitin 2023 ka pasur një masë sigurie më të lehtë arrest në shtëpi për dy muaj dhe më pas hetim në gjendje të lirë, që prej dhjetorit 2023

Megjithatë, sipas SPAK, Dorian Beu është një nga personat e shpallur në kërkim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, që operonte në trafikun ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë dhe Italisë. Grupi përbëhej nga 18 persona dhe akuzohet për trafikimin e 356 kilogramëve lëndë narkotike, përfshirë kokainë, heroinë, marijuanë dhe hashash, në një periudhë që nis nga viti 2015 e në vijim.

Hetimet e koordinuara mes SPAK dhe autoriteteve italiane zbuluan se veprimtaria kriminale është zhvilluar në disa qytete të Italisë përfshirë Milano, Torino, Breshia dhe Bergamo  si dhe në Shqipëri, kryesisht në qytetin e Durrësit.

Në dhjetor të vitit 2023, GJKKO kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për anëtarët e këtij grupi, ndër të cilët edhe Dorian Beu. Grupi kriminal dyshohet se drejtohej nga Gernard Beu, Emirjan Beu dhe Braniol Liço. Në të njëjtin vendim, u vendos edhe sekuestrimi i pasurive me vlerë mbi 1 milion euro, të përfituara nga aktiviteti kriminal, në emër të tre drejtuesve të grupit.

Sipas të dhënave të hetimeve, janë dokumentuar dhe sekuestruar në Itali mbi 120 kg kokainë, 15 kg heroinë me përqendrim të lartë, 129 kg marijuanë dhe 92 kg hashash, në disa operacione të zhvilluara ndër vite.

Beu do të qëndrojë në paraburgim në pritje të vijimit të procedurave gjyqësore në Shqipëri, ndërkohë që mbetet për t’u parë nëse do të ketë ndonjë zhvillim në koordinim me drejtësinë italiane, ku ai pretendon se po gjykohet për të njëjtën çështje.

© SYRI.net