Mbahet sot në Gjykatën Kushtetuese seancë në lidhje me masën e sigurisë të vendosur ndaj zëvendës kryeministres Belinda Balluku, “pezullimi i ushtrimit të detyrës publike”, vendim i marrë nga Gjykata e Posaçme.

Seanca nis në orën 10:00 dhe mbahet pas ankimimit të kryeministrit Edi Rama, i cili pretendon se me vendimin e pezullimit të Ballukut, gjykata ka shkelur kompetencat e tij si kryeministër.“Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës sot do të legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin dhe me vetë jetën politike do krijonte precedent unikal, të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional dhe manipulimit të ekzekutivit nëpërmjet procesve penale, do ndodhte diçka që është e panjohur në Europë”, ëhstë shprehur më parë kreu i qeverisë.

Rama e ka justifikuar ankimin në Kushtetuese si një betejë për pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe mbrojtjen e kompetencave kryeministrore.