Dy vite burg ka vendosur Gjykata e Posacme për kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Fredi Beleri akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion aktiv në zgjedhje, dhe kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 2.6 vjet burg. Beleri dhe Kokoveshi u arrestuan, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, që garoi për mandatin e tij të katërt.
Prokuroria e akuzoi Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës.
Në dëshminë e tij në gjykatë Beleri ka deklaruar se SPAK dhe Policia e Shtetit janë të ndikuar nga politika. “Kërkoj drejtësi nga gjykata edhe pse e di që jam në presion të madh politik, por ky nuk është problemi im. SPAK po gënjen, e kuptoj që është urdhër politik, por trupi gjykues duhet gjykues. Për asnjë të pandehur tjetër për të njëjtën vepër penale që akuzohen edhe unë nuk është kërkuar nga SPAK një dënim kaq i lartë, 2.6 vite burg por vetëm me shërbim prove”, ka thënë më tej Beleri.
Në përfundim të seancës, avokati mbrojtës i tij e konsideroi vendimin politik, ndërsa tha se do të apelojnë vendimin./abcnew