Gjykata e Posaçme ka caktuar “arrest në shtëpi” për gjyqtaren e Elbasanit, Zamira Vyshka. Trupa gjykuese ka lënë në fuqi vendimin që ishte për gjyqtaren.
Gjithashtu GJKKO ka lënë në burg avokatin Ilir Pashaj, duke mos e ndryshuar masa “arrest me burg” ndaj tij. Masa nuk është ndryshuar as për të arrestuarit Xhulio Musaj dhe Taulant Romalari, të cilët do të vijojë të qëndrojnë në burg.
Dy funksionarët e drejtësisë akuzohen për “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319 dhe 25 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, ka të bëjë për një rast të korrupsionit aktiv/pasiv në sistemin e drejtësisë, ku persona të interesuar/familjarë të një shtetasi të arrestuar në bashkëpunim me avokatin mbrojtës, i kanë ofruar gjyqtarit të çështjes një shumë monetare me qëllim favorizim në caktimin e masës së dënimit.
Bëhet fjalë për familjarë të Xhulio Musajt, i cili ishte arrestuar për plagosje, të cilët me anë të avokatit të tyre Ilir Pashaj i ofruan gjyqtares 2 milionë lekë të vjetra.
Por pas takimit me gjyqtaren, sipas SPAK ajo ka kërkuar më shumë para. ABC mësoi më herë se ngjarja ka ndodhur në 2021 dhe gjyqtarja ka marrë shumën e 4 milionë lekëve.
Informacionet për këtë rast korrupsioni SPAK i ka marrë në rrugë operative dhe në sajë të përgjimeve, pasi janë sinjalizuar për këtë rast korrupsioni. Avokati Ilir Pashaj ka qenë gjyqtar në Elbasan. Sipas burimeve të Abc, Pashaj u largua nga sistemi para vettingut për mos plotësim të formularit të deklarimit. Prej 4 vitesh ushtron detyrën e avokatit.