
Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë që e shpalli të pafajshëm kryebashkiakun e Devollit Eduard Duro.
SPAK kishte kërkuar dënimin e kryebashkiakut socialist me 1 vit burg për shpërdorim detyre, që të konvertohej në 3 vite shërbim prove si dhe me dënimin plotësues që për 5 vite të mos ushtrojë funksione publike.
Të njëjtin dënim prokurori Dritan Prençi kërkoi edhe për 4 zyrtarët e tjerë, përkatësisht Astrit Seferkolli, Gazment Haxhia, Gazment Mali dhe Vosjava Bregu
Por GJKKO vendosi të rrëzojë SPAK teksa ky i fundit ankimoi vendimin në Apel.
Duro ishte marrë zyrtarisht i pandehur nga prokuroria e posaçme, dhe akuzohej se licencoi një biznes, pikë karburanti në Bilisht, që ishte ndërtim pa leje.
Hetimi i SPAK erdhi pas një kallëzimi të depozituar nga një subjekt tjetër.
Veç Duros, u hetuan edhe 4 punonjës të Bashkisë së Devollit, mes tyre specialistë të taksave dhe sekretari i përgjithshëm i Bashkisë.
