Erion Murataj PSD

GJKKO ka pranuar ankesën e eurodeputetit Fredi Beleri për shfuqizimin e vendimit të datës 27.12 .2024 të SPAK dhe urdhrimin e regjistrimit të procedimit penal dhe kryerjen e veprimeve hetimore ndaj ish-ministres së jashtme Olta Xhaçka dhe bashkëshortit të saj Artan GaçeHetimet ndaj Xhaçkës dhe Gaçit do të zhvillohen për tokën e përfituar në Dhërmi, Bashkia Himarë. Beleri kishte ankimuar vendimin e SPAK që nuk kishte nisur procedim për Xhaçkën dhe Gaçin për akuzat lidhur me tjetërsimin e pronës në bregdetin e Dhërmiut. Ish-deputeti i PS, biznesmen, Artan Gaçi mori statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare.GJKKO përmes një shkrese duke pranuar ankesën e Belerit, i kërkon SPAK të regjistrojë procedimin penal për vazhdimin e hetimeve për veprën penale “shpërdorim detyre”, falsifikim dokumentash dhe pastrim i produkteve të veprës penale kryer në bashkëpunim për Xhaçkën e Gaçen.

Shkresa

“Gjykata çmon se kallëzimi i shtetasit Alfred Beleri për shtetasit Artan Gaçi, për kryerjen e veprës penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale’ kryer në bashkëpunim të parashikuar nga nenet 186 dhe 287 të Kodit Penal dhe Olta Xhaçka, aktualisht Ministre e Punëve të Jashtme, deputete, për kryerjen e veprës penale ‘Shpërdorimi i detyrës’ i parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, nuk ka një vendimmarrje, dhe se ankimi i paraqitur nga shtetasi Dhionisis Alfred Beleri, për këtë pjesë të kallëzimit, është i bazuar në ligj.

Në rastin konkret, Prokuroria e Posaçme duhet të regjistrojë procedim penal dhe të vazhdojë hetimet, mbi parashtrimet në kallëzimin e regjistruar me nr. 81/2023 se ish-Kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, Këshilli i Qarkut Vlorë dhe ish-punonjësit e ZVRPP Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime në lidhje me falsifikimin e dokumenteve zyrtarë, të cilat janë përdorur për regjistrimin e një pasurie të paluajtshme në pronësi të subjektit Foto Mëhilli, dhe kjo pasuri është tjetërsuar në favor të të tretëve, konkretisht të familjarëve të të kallëzuarës Olta Xhaçka, e cila në kohën e marrjes së këtyre vendimeve nga Këshilli i Ministrave, ka ushtruar detyrën shtetërore të Ministres së Mbrojtjes në atë kohë, dhe funksionin politik të deputetes.

Shtetasja Olta Xhaçka, me mosveprimet e saj, duke mos deklaruar konfliktin e interesit, ka përfituar nëpërmjet regjimit martesor, të drejta pasurore dhe përfitime të paligjshme, që sipas ligjit për investitorët strategjikë si dhe ligjin për konfliktin e interesit, nuk i takojnë. Kjo shtetase, nëpërmjet investimit strategjik në një pronë të falsifikuar, ka përfituar të drejtën e përdorimit falas të pasurive shtetërore për të cilën shtetas të zakonshëm paguajnë detyrimet tatimore, etj”, thuhet në vendimin e GJKKO.

Më tej në shkresë thuhet se kundër këtij vendimi mund të apelohet në Apelin e GJKKO brenda 10 ditëve duke filluar nga e nesërmja e këtij njoftimi.