Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë (GJKKO) pranoi kërkesën e SPAK për kalimin e dosjes për gjykim lidhur me çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Nga të pandehurit, vetëm tre prej tyre kanë kërkuar gjykim të shkurtuar: Silena Tola, Alba Thoma dhe Pëllumb Abeshi, ndërsa të tjerët kanë kërkuar gjykim të zakonshëm. Kërkesa për gjykim të shkurtuar do të shqyrtohet në seancën e ardhshme nga një tjetër gjykuese.
Më 2 gusht, Prokuroria e Posaçme njoftoi përfundimin e hetimeve për 12 personat e akuzuar, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “shpërdorim detyre”.
Masat për inceneratorin u lëshuan në dhjetor të vitit 2023. Për gjykim janë dërguar ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka, Pëllumb Abeshi, Erjon Murataj, Bledar Karoli, Taulant Tusha, Namik Simixhiu, Etleva Kondi, Alba Thoma, Valbona Ballgjini, Sidita Kopliku, Jetmir Llapaj dhe Silena Tola.
Ndërkohë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako, njëherësh sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit, është ndarë nga kjo çështje, pasi po hetohet për një akuzë tjetër, atë të korrupsionit.