GJKKO ka vendosur rrëzimin e kërkesës së Sali Berishës për përjashtimin nga hetimi i çështjes “Partizani” të gjykatëses Irena Gjoka. Ky vendim u mor nga gjyqtarja e GJKKO Flora Hajredinaj.

Ditën e sotme, Berisha depozitoi në GJKKO një kërkesë zyrtare për përjashtimin e kësaj gjyqtareje me pretendimin se ka shkelur Kushtetutën, në momentin e caktimit të masës ndaj deputetit Berisha pasi nuk ka lajmëruar Parlamentin.

Sakaq, ditën e djeshme, avokatët e Berishës braktisën seancën për caktimin e masës ndaj ish-kryeministrit. GJKKO ka zgjedhur vetë dy avokatë që do përfaqësojnë ish-kryeministrin në seancën e sotme.

Vetë Berisha nuk ka qenë i pranishëm në asnjë seancë pasi sipas tij është shkelur Kushtetuta. Ai kërkon të merret leje nga Parlamenti që të hiqet imuniteti i tij si deputet.

Ndërkohë në GJKKO vijon seanca për caktimin e masës ndaj Sali Berishës. Ai akuzohet për korrupsion pasiv dhe shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi në lidhje me pronat tek ish-kompleksi sportiv Partizani.