Pak më parë u largua nga seanca që po zhvillohet në GJKKO dy avokatët përfaqësues të Sali Berishës. Dosja “Partizani” që po hetohet bëri që të caktohet masa me “Detyrim paraqitje” për ish-kryeministrin. Ditën e sotme ishte caktuar që përpara togave të zeza ai të njihej me këtë masë.

Por Berisha zgjodhi të përfaqësohej me dy avokatët e tij Sokol Mëngjesi dhe Genc  Gjokutaj. Këta të fundit bënë një kërkesë përpara trupit gjykues që të përjashtohej nga shqyrtimi i çështjes gjyqtarja Irena Gjoka, pasi sipas tyre ka shkelur kushtetutën duke mos lajmëruar parlamentin në caktimin e masës së sigurisë ndaj deputetit Sali Berisha. Gjykata e refuzoi këtë kërkesë dhe avokatët u larguan nga seanca.

Në këto kushte, pas largimit nga seanca të avokatëve Gjykata caktoi vetë një avokat tjetër, Artan Simonin që të përfaqësoj Berishën në seancë. Seanca u shty për 2 orë, që edhe avokati i ri të njihet me aktet.

Njoftim për mediat: 

– Në datën 25.10.2023, ora 14.30, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u çel seanca gjyqësore për vijimin e shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha.

– Gjykata pasi verifikoi praninë e palëve, konstatoi se nuk ishte paraqitur personalisht i hetuari Sali Berisha dhe se ishin paraqitur 2 mbrojtësit e tij, të zgjedhur me prokurë të posaçme, av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj.

– Nga ana e mbrojtësve u parashtruan2 kërkesa, e konkretisht: Për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve paraprake të depozituara nga ana e organit procedues, CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj si dhe njëherazi kërkuan dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës. 

– Pasi gjykata u tërhoq në dhomën e këshillimit, disponoi si vijon lidhur me kërkesat e parashtruara nga ana e mbrojtësve të zgjedhur të të hetuarit Sali Berisha:

Lidhur me kërkesën për vënien në dispozicion të kopjeve së akteve të hetimeve parapraketë depozituara nga ana e organit procedues, gjykata ka disponuar me vendim në seancën e shkuar gjyqësore të datës 24.10.2023, me të cilin është pranuar kërkesa e tyre për njohjen me aktet dhe njëkohësisht të marrin kopje të tyre konform nenit 105,110 dhe 248, pika 1 e K.Pr.Penale.

Pranoi kërkesën për vënien në dispozicion të CD-audio të seancës së shkuar gjyqësore dhe transkriptimin e saj, kundrejt tarifave respektive.

Rrëzoi kërkesën për dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për gjykim incidental, lidhur me interpretimin e nenit 73, pika 2 të Kushtetutës.

– Nga ana e mbrojtësve av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj u bë me dije se kanë paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga gjykimi i çështjes dhe në këto kushte u larguan nga salla e gjykimit, duke deklaruar se nuk mund të realizojnë një mbrojtje efektive.

– Gjykata njoftoi se në seancëne parë gjyqësore, në kushtet që nuk ishte në dijeni për zgjedhjen e një mbrojtësi nga ana e të hetuarit Sali Berisha, referuar listës së avokatëve kryesisht, urdhëroi njoftimin e avokatit Artan Simoni, duke i bërë me dije këtij të fundit që të paraqitej pranë kryesekretarisë së kësaj gjykate për tu njohur paraprakisht  me aktet, në eventualitet që nga ana e të hetuarit Sali Berisha nuk do të bëhej zgjedhja e një mbrojtësi.

– Pas marrjes së mendimit të prokurorëve, në kushtet që 2 avokatët e zgjedhur nga ana e të hetuarit Sali Berisha, av.Sokol Mëngjesi dhe av.Genc Gjokutaj  u larguan nga salla e gjyqit, bazuar në nenin 6, 48 dhe 248 të K.Pr.Penale, gjykata vendosi të caktojë kryesisht avokatin Artan Simoni, anëtar i Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë, në mbrojtje të interesave të ligjshme të të hetuarit Sali Berisha.

-Gjykata ndërpreu për disa minuta shqyrtimin gjyqësor në pritje të mbërritjes së avokatit Artan Simoni, për vijimin e seancës gjyqësore.