Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka zgjatur edhe me 3 muaj afatin e pezullimit nga detyra për mjekun Edvin Prifti.
Bëhet me dije është shtyrë afati i pezullimit pasi për Priftin është hapur një çështje e re. Çështje e cila është marrë në shqyrtim nga prokurori Sotir Kllapi.
Mjeku akuzohet se ka shitur për 1.1 milionë lekë një valvulë biologjike duke pretenduar se e kishte blerë në privat. Edvin Prifiti i kishte bërë transplant një gruaje e cila më pas kishte ndërruar jetë. Dy djemtë e saj i kërkonin mjekut lekët që ai u kishte marrë për valvulën, sepse nëna e tyre nuk kishte mbijetuar.
Mjeku i njohur bëri kallëzim për dy djemtë e pacientes së tij, se ata po e “shtrëngonin për dhënie pasurie”. Dosja përfundoi përsëri në duart e prokurorëve të SPAK dhe këtë herë me kërkesë të tyre, GJKKO e pezulloi Edvin Priftin nga detyra për herë të dytë. Sipas trupës gjyqësore, ai duhet të qëndrojë “larg” përparses së bardhë deri në përfundim të hetimeve.