Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, theksoi në një status në facebook se zgjedhjet e 2021 duhet të jenë një pikë kthese e fortë për përfaqësimin politik, ndërsa shton se LSI do të kryejë vettingun për të gjithë kandidatët e saj.
“Bashkë me Altin Kaziaj, përfaqësuesin e LSI në KQZ, në konferencën e organizuar nga OSBE dhe Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta mbi Zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin. Integriteti i figurave politike dhe funksionarëve publik është sfida më e madhe me të cilën ndeshet politika shqiptare. Mungesa e vullnetit nga mazhoranca ka dëmtuar rëndë jo vetëm imazhin e vendit por cilësinë e politikbërjes dhe besimin e qytetarëve te politika. Zgjedhjet e 2021 duhet të jenë një pikë kthese e fortë për përfaqësimin politik, që më pas të vihet në dispozicion të vendit dhe mirë qeverisjes! LSI do të kryej vettingun për të gjithë kandidatët e saj me vullnetin e plotë për t’i ofruar elektoratit alternativën tonë më të mirë”, shkruan Gjosha.