Home AKTUALITET Gjuha shqipe tek emigrantët.Tregojnë në Durrës vështirësitë e tyre

Gjuha shqipe tek emigrantët.Tregojnë në Durrës vështirësitë e tyre

28

  

Sfidat me të cilat ndeshet gjuha shqipe, por dhe mesazhe krenarie dhe dashurie për gjuhën tonë, një nga gjuhët më të vjetra dhe të veçanta në botë janë përcjellë nga nxënës dhe mësues durrsakë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare. Për Shpresa Meçen, nxënëse e klasës VIII në shkollësn “14 nëntori”, gjuha është pasuria më e madhe e kombit .

Shpresa Meçja, nxënëse : “Gjuha shqipe është ajo që na personalizon si komb. Ta njohësh dhe ta duash gjuhën tënde është më e pakta që mund të bëjmë për vendin tonë. Pasuria më e madhe e një kombi është gjuha, ndërsa e një shteti është populli. Shumë njerëz kanë emigruar dhe kjo ka sjellë probleme me gjuhën tonë dhe e kanë transformuar atë për nevoja vetjake, apo ekonomike. Gjithsesi ajo duhet të mbetet gjithmonë në zemrën tonë dhe nëse ne jemi larg saj.”

Fëmijët e familjeve emigrante që janë kthyer në vendlindje shpesh janë përballur me vështirësi në shkollim për shkak të barrierave gjuhësore.
Merita Kuçi, drejtuese e shkollës “14 nëntori” Durrës: “Fenomeni është i pranishëm në shkolla sot, pasi vetë shoqëria është gjithnjë e në lëvizje, ashtu si shtrati i gjuhës shqipe… Shkollat janë mjedise që i mirëpresin duke vënë në dispozicion të gjithë kapacitetet e tyre në fushën e gjuhës dhe të shkencave që të mos ndjehen të mënjanuar por të ecin në programet shkollore, si nxënësit e tjerë.”

Edhe Shpresa tregon se si shokët e shoqet e klasës po e ndihmojnë një nxënëse të shkollës së saj, që u kthye nga Italia bashkë me familjen, që të flasë sa më pastër gjuhën shqipe.

Shpresa Meçja, nxënëse : “Nuk ka shumë probleme tani, pasi nxënësit që janë në klasën e saj e ndihmojnë atë për çdo gjë. – Pra ka pasur probleme? – Po ka pasur, edhe pse prindërit i ka nga Shqipëria.”

Të mësuarit dhe të shkruarit pastër të gjuhës shqipe në një shoqëri të hapur mbetet një sfidë në çdo fazë të edukimit
Merita Kuçi, drejtuese shkolle: “Vënia në dispozicion e bibliotekave të shkollës. Sa më shumë t’i motivojmë nxënësit me librin, aq më bukur ata do të shprehen dhe do të kenë mundësi të perceptojnë saktë dhe shkencat e tjera, pasi gjuha mbetet baza, themeli i mendimit.”

Në bashkëpunim me Muzeun Arkeologjik të Durrësit, këta nxënës e mësues zgjodhën pikërisht ambjentet e muzeut për të përcjellë mesazhe kuptimplota mbi rëndësinë dhe mbrojtjen e gjuhës shqipe, si një nga dëshmitë dhe pasuritë më të çmuara që kemi trashëguar që nga kohët e lashta.

Top Channel