Dy prokurorët e SPAK Alfred Shehu dhe Elvin Gogaj, janë pezulluar nga detyra me vendim të Gjykatës Administrative të Apelit. Sipas vendimit, Shehu dhe Gogaj janë zgjedhur me procedurë të parregullt.
Gjykata ka pranuar ankimin e prokurores Sonila Muhametaj, e cila dhe vetë ishte në garë mes dy prokurorëve të sipërpërmendur për një vend në SPAK. Apeli Administrativ ka nënvizuar se vendimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ishte i padrejtë.
Prokurorja Muhametaj kërkoi shpalljen nul të emërimit të kolegëve Alfred Shehu dhe Elvin Gogaj, pasi sipas saj pikëzimi është dhënë pa meritë. Shkeljet sipas Gjykatës së Apelit kanë të bëjnë me procedurat, vendimmarrjet, emërimin dhe pikëzimin e kandidatëve.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare përpara gjykatës u shpreh se nuk ka pasur konflikt interesi, pasi dy anëtarët e KLP ishin pjesë e Këshillit dhe jo të Komisionit. Porcesi është monitoruar dhe nga ndërkombëtarët.
Me vendimin e Apelit Administrativ që mban datën 24 maj 2022, Prokuroria Speciale tashmë është me 2 anëtarë më pak, pra 15 nga 17 kishte.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë mësohet do ta ankimojë vendimin e Apelit Administrativ, që pezulloi zgjedhjen e 2 prokurorëve të SPAK. Institucioni thotë se do të kërkojë nga ana e Gjykatës së Lartë pezullimin e zbatimit të vendimit.
“Ne na duket i kundërligjshëm ai vendim dhe po përgatisim rekurs pranë Gjykatës së Lartë si dhe do kërkojmë nga Gjykata pezullim ekzekutim vendimi. Nuk mundet gjykata të zëvendësojë këshillin kur është diskrecioni i secilit anëtar se sa pikë i jep një kandidati”, thuhet në reagimin e KLP.