Erion Murataj PSD

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i AMP-së, Florian Sulejmani, në Gjykatën e Beratit për verifikimin e masës së pezullimit nga detyra. Gjykata shpall moskompetencë territoriale dhe ia kalon çështjen Tiranës.

Sulejmani, është paraqitur sot në Gjykatën e Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm në Berat, për verifikimin e masës së sigurimit personal “pezullim nga detyra”.

Gjykata e Beratit kishte pranuar më herët kërkesën e Prokurorisë së Beratit për pezullimin nga detyra të drejtorit të AMP-së, pasi ai është nën hetim për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me procedurën e ndjekur për transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore.

Ky transferim dyshohet se është kryer në kundërshtim me legjislacionin përkatës. Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Jurisdiksionit të Përgjithshëm të Beratit njoftoi më 16 prill caktimin e masës së sigurimit personal “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj Florian Sulejmanit, në kuadër të një procedimi penal të regjistruar për “shpërdorim detyre”. Sipas prokurorisë, çështja lidhet me mënyrën e transferimit të vartësve të tij.

Gjykata e Beratit konfirmoi ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm se oficerët e policisë gjyqësore janë transferuar në kundërshtim me dispozitat ligjore të ligjeve “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” dhe “Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore”, dhe ka kryer sot verifikimin e masës ndaj tij, raporton Shqiptarja.

Ka qenë gjyqtari Ilirjan Hysi ai që, pas afro një ore në dhomën e këshillimit, ka shpallur moskompetencë territoriale, duke ia kaluar çështjen ndaj Sulejmanit Gjykatës së Tiranës. Gjithashtu, gjyqtari Hysi ka vendosur vazhdimin e masës së pezullimit nga detyra për Florian Sulejmanin.