U ekstradua nga Gjermania,akuzohet për vrasje
Gjykata e Elbasanit ka vendosur të pranojë kërkesën e prokurorisë së rrethit të Elbasanit për caktimin e masës së arrestit në burg për Florind Shabanin, i akuzuar për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim ndaj shtetasit, Roland Rexhepit ose siç thirrej ne Elbasan “Doda”. Gjyqi është zhvilluar sot në orën 12:00 pranë gjykatës së Elbasanit.
Florind Shabani, njeriu i ekstraduar një ditë më parë nga Gjermania, doli sot para gjykatës ku u njoh me masën e sigurisë “arrest në burg”, që ka kërkuar përfaqësuesi i akuzës.
Në materialin hetimor, Shabani, paraqitet nga akuza si personi që ka shërbyer si vëzhgues në vrasjen e Roland Rexhepit, ndodhur në 29 korrik 2009.
Ndërsa në këtë vrasje ekzekutor me armë, kanë qenë Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të dy të dënuar me 24 dhe 23 vite burg dhe aktualisht ndodhet në burg.
Vrasja e Rexhepit ose siç thirrej në Elbasan me nofkën “Doda”, është kryer për llogari dhe financim, të një grupi kriminal, ku njëri prej anëtarëve të këtij grupi, aktualisht ndodhet në burg për llogari të SPAK dhe tjetri ndodhet në Dubai. Në dosjen e prokurorisë tregohet se Florind Shabani, para se të kryhej vrasja e Roland Rexhepit, ka parkuar një furgon përballë shtëpisë dhe garazhit, të makinës së viktimës.
Hetimi, ka provuar se furgoni ishte blerë në një pikë varrezash në Maminas dhe mandej ishte sjellë në Elbasan, duke u kthyer për disa ditë si strehë vëzhgimi.
Derës së furgonin i kishin hapur një vrimë me trapan, dhe nga brenda shihej fare qartë dera e shtëpisë së Roland Rexhepi dhe garazhi ku ai mbante makinën.
Në dosje thuhet se pikërisht ka qenë, Shabani, ai që ka qenë vëzhguesi, pasi brenda në furgon është gjetur një maskë dhe bishta cigaresh.
Nga ekzaminimi i profilit të ADN-së, ka rezultuar se ato i përkisnin, pikërisht Florind Shabanit.
Fillimisht ADN-në e Shabanit në Shqipëri e kanë sjellë autoritet Gjermane, të cilët e kishin arrestuar për drogë, Shabanin.
Për të krijuar bindjen se vërtet, Shabani, ka marrë pjesë në këtë krim, prokuroria e Elbasanit, i ka bërë një analizë AND-je dhe Ismail Shabanit, babait të Florind Shabanit.
Kjo analizë ka qenë vendimtare për zbardhjen e vrasjes së, Roland Rexhepit. Pasi profilet e sekuestruar në ambientet e furgonin me ato që kishin sjellë Gjermanët dhe rezultatet që dolën edhe me analizimin e ADN-së së babait, treguan se ishin të njëjta.
Sipas dosjes së prokurorisë, Shabani është njeriu që ka vrojtuar nga brenda furgonit, Roland Rexhepin, sapo ky i fundit ka dalë nga banesa mëngjesin e 29 korrikut 2009.
Ndërsa teksa ai ju drejtua derës së garazhit për të nxjerrë makinën dhe shkuar në punë, Shabani ka njoftuar Armando Llakaj dhe Marjus Tafën, të cilët kanë qëlluar me armë Rexhepin.
Më pas Tafa dhe Llakaj, janë larguar nga vendngjarja me motor, ndërsa Florind Shabani, që qëndronte brenda në furgon, ka hapur derën e pasme nga përgjonte viktimën dhe është larguar qetësisht nga vendngjarja. Pritet që në ditët në vijim, Shabani, të merret në pyetje nga prokuroria, për të dhënë versionin e tij në këtë ngjarje.