Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me burg të përjetshëm për Aldo Baren, ish kreun e bandës famëkeqe të Lushnjës.

Ky vendim ka ardhur 10 vite pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit në vitin 2012.

Bare bëri rekurs të vendimit me burgim të përjetshëm, mirëpo ky rekurs iu hodh poshtë ditën e sotme nga Gjykata e Lartë.

“U vendos: Lënia në fuqi e vendimit nr.49 datë 16/07/2012 i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në Tiranë”, thuhet në njoftimin zyrtar të Gjykatës së Lartë.

Një vendim i gjykatës kushtetuese më 8 shkurt të vitit 2017, se Aldo Bares i është cënuar e drejta për proces të rregullt ligjor dhe i është cënuar e drejta e mbrojtjes së të gjykuarit, i dha të drejtën atij që ta ridërgonte sërish dosjen në Gjykatën e Lartë.

Alfred Shkurti ish-speciali i forcave RENEA, ose i njohur ndryshe si Aldo Bare prej vitesh po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Ai u bë pjesë e botës së krimit në 1997 pasi i vranë vëllain banda e Artur Dajës gjatë një përleshje me armë zjarri. Pas vrasjes së Ramadan Shkurtit, në Lushnjë nisi të operonte banda e Aldo Bares së cilës Drejtësia i numëron më shumë se njëzet vrasje, dhjetëra plagosje dhe vënie gjobash.

Më pas vrasjet filluan të lidheshin zinxhir. Sipas prokurorisë, ish-speciali kishte arritur të rekrutonte në bandën e drejtuar prej tij Ilir Stërgun, Afrim Hoxhën, Arben e Enver Boriçin, Enver Dondollakun, të gjithë shokë, miq e të afërm të, Aldo Bares dhe vëllait të tij Ramadan Shkurti.

Më pas kësaj bande iu bashkuan edhe: Maksim Çela, Erion Cici, Dritan Vila, Leonard Prifti, dhe shumë të rinj të tjerë.

Me mbledhjen e këtyre filluan edhe ekzekutimet në qytetin e Lushnjës ndaj Artur Dajës, shokëve, miqve e familjarëve të tij, teksa në kurriz të kësaj bande janë të paktën 20 vrasje, plagosje, rrëmbime dhe gjoba.