Donald Trump ka marrë një goditje të fortë nga gjykata amerikane. Gjykata federale në SHBA i ka mohuar Presidentit Donald Trump autoritetin për të vendosur tarifa të gjera sipas një ligji emergjence. Tarifat në fjalë do të “shfuqizoheshin dhe zbatimi i tyre do të ndalohet përgjithmonë”, thekson vendimi i gjykatës përgjegjëse për tregtinë ndërkombëtare në Nju Jork.

Në vendimin e saj gjykata tregtare zbuloi se presidenti ka tejkaluar autoritetin e tij duke vendosur detyrime të përgjithshme për importet nga partnerët tregtarë të SHBA. Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare tha se Kushtetuta e SHBA-së i jep Kongresit autoritet ekskluziv për të rregulluar tregtinë me vendet e tjera që nuk kapërcehet nga fuqitë emergjente të presidentit për të mbrojtur ekonominë e SHBA.

Gjykatësit urdhëruan gjithashtu administratën Trump të lëshojë urdhra të rinj që pasqyrojnë urdhrin e përhershëm brenda 10 ditëve. Administrata Trump pak minuta më vonë paraqiti një njoftim apeli dhe vuri në dyshim autoritetin e gjykatës.

Gjykata shfuqizoi me efekt të menjëhershëm të gjitha urdhrat e Trump për tarifat që nga janari, të cilat ishin të rrënjosura në Aktin Ndërkombëtar të Fuqive Ekonomike Emergjente (IEEPA), një ligj që synonte të trajtonte kërcënimet “të pazakonta dhe të jashtëzakonshme” gjatë një emergjence kombëtare.

Megjithatë, tarifat për çelikun, aluminin dhe makinat nuk u hoqën ato nuk u vendosën për shkak të një emergjence. Kjo do të thotë që prodhuesit gjermanë të makinave vazhdojnë të preken nga tarifat.

Vendimet e Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare me qendër në Manhattan, e cila shqyrton mosmarrëveshjet që përfshijnë ligjet ndërkombëtare të tregtisë dhe doganave, mund të apelohen në Gjykatën e Apelit të SHBA-së për Qarkun Federal në Uashington, D.C., dhe përfundimisht në Gjykatën e Lartë të SHBA.

Megjithatë, pas vendimit të gjykatës, dollari amerikan u vlerësua si kundrejt frangës zvicerane, një monedhë tradicionale e sigurt, ashtu edhe kundrejt jenit japonez. Pati ngazëllim në tregjet e aksioneve, me kontratat e ardhshme të aksioneve amerikane, të cilat pasqyrojnë zhvillimet e ardhshme në tregtimin jashtë bursës, që u rritën ndjeshëm.