Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Rozeta dhe Havier Dobin.

Nënë e bir grabitën rreth 500 mijë euro nga disa shtëpi ku Rozeta si pastruese. Mësohet se ata kanë refuzuar të japin shpjegime në sallën e gjyqut, për të bërë të ditura mekanizmat se si kanë vepruar.

I pari  që u fut në sallë ishte 23 vjeçari  dhe më pas 49 vjeçarja, ku kjo e fundit gjatë seancës shpërtheu në lot.

Çfarë kanë bërë nënë e bir?

Rozeta Dobi, 49 vjeç punonte si pastruese në “Rrugën e Kosovarëve”, por në bashkëpunim me djalin e saj, Havier Dobin 23-vjeç, klientët edhe i grabiste. Personi që e denoncoi ishte Alda Klosi, ish-zyrtare në kabinetin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, e cila pretendon se Dobi i kishte vjedhur 120 mijë euro. Pastruesja, sipas raportimeve të deritanishme, kishte hyrë në banesë me çelësin që i kishte lënë Klosi për ta pastruar dhe kishte vjedhur para në interval të ndryshme kohore, por ditën e fundit kishte hapur derën me forcë dhe kishte bërë rrëmujë në banesë, për të inskenuar një grabitje.

Gjithçka është zbuluar nga kamerat e sigurisë. Vetë ish-zyrtarja thotë se paratë i kishte ruajtur për të kuruar xhaxhain e saj, që e kishte me kancer dhe të shtruar në një spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por edhe për të ka nisur një hetim për të zbuluar nëse thotë të vërtetën e nëse mund të justifikojë burimin e parave që i janë gjetur në shtëpi. Por Klosi nuk është “viktima” e vetme, pasi nënë e bir akuzohen edhe nga 4 persona të tjerë se i kanë vjedhur. Pas shumës së 120 mijë eurove, në shtëpinë Dobi, në tubin e aspiratorit janë gjetur edhe mbi 400 mijë euro të tjera. /abcnews.al