Gjykata Kushtetuese ka zbardhur sot vendimin për shpërndarjen e mandateve, që u ankimua nga Bindja Demokratike dhe Lidhje Demokratike Shqiptare. Në vendimin e arsyetuar të kushtetueses thuhet se herësi duhet të ndryshohet dhe propozohet që të ketë një prag të ri.
“Në vlerësimin e Gjykatës, në përcaktimin e herësit nuk duhet të vendosen kufizime në një masë më të madhe se sa është e nevojshme për të arritur objektivat, në respektim të së drejtës për të zgjedhur dhe parimit të barazisë së votës. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit”.
Sipas gjykatës kushtetuese duhet të ketë herës të ndryshëm në qarqe të ndryshme dhe e lë në dorën e Kuvendit të ri që ta saktësojë në ligj herësin e ri.
“Në këtë pikëpamje herësi shërben për të pasur stabilitet në të gjitha zonat zgjedhore, mundësi për demokratizimin e partive politike, stabilizim të jetës politike gjatë shpërndarjes së mandateve, pa lënë mënjanë respektimin e parimit të barazisë gjinore. Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se ligjvënësi, në parashikimin e masës së herësit, si mekanizëm për shpërndarjen e mandateve, ka justifikuar interesin publik”.
Më tej gjykata në vendin sqaron se votimi parapëlqyes ndikon në shpërndarjen e mandateve dhe herësi ndërhyn në efektet e këtij votimi. Por trupa gjykuese shprehet në vendim se pavarësisht herësit kandidatët kanë mundësi të zgjidhen me vota parapëlqyese dhe ka marrë shembullin e disa prej kandidatëve që kanë arritur që të marrin më shumë se 10 mijë vota.
Ankimimi në gjykatë u bë nga Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Lidhja Demokratike Shqiptare e Myslym Murrzit.
Në zgjedhjet e 25 Prillit vetëm 3 kandidatë arritën të futen në Parlament, megjithëse ishin renditur përtej listës fituese. Nga Partia Socialiste këtë e arritën Fatmir Xhafaj dhe Ornaldo Rakipi, të dy në Tiranë, ndërsa nga Partia Demokratike ia doli Luçiano Boçi në Elbasan./tvklan.al