Xheison Toromëni, 25 vjeçari i akuzuar si autor i vrasjes së Besmir Kumrias dy ditë më parë në fshatin Kryekuq të Divjakës, do të qëndrojë në qeli. Kështu kanë vendosur togat e zeza të Fierit këtë të premte, duke vlerësuar të ligjshëm arrestimin.
25 vjeçari po nga fshati Kryekuq i Divjakës, është shprehur para togave të zeza se ka qëlluar me thikë për vdekje bashkëfshatarin e tij Besmir Kumria, sepse tre vite më parë ky i fundit i kishte rrahur keq babain.
Kur e kishte para dy netë më parë në lokalin e fshatit, ai ka marrë thikën dhe e ka vrarë menjëherë, pa paralajmërim. “Para tre vjetësh, për vijën e ujit, viktima më ka rrahur keq babanë. Dhe unë e pashë ulur në lokal, nuk durova dhe shkova e qëllova”, është shprehur Xheison Toromëni.
Policia raportoi se mesnatën e 19-20 gushtit, Xheison Toromëni është futur në lokalin e fshatit Kryekuq dhe menjëherë ka goditur disa herë me thikë Besmir Kumrian, duke i shkaktuar vdekjen. 32 vjeçari ishte nën shoqërinë e miqve të tij, por askush nuk ka reaguar.
Krimi ka ndodhur në pak momente dhe as miqtë e viktimës dhe as klientët e tjerë të lokalit, banorë të fshatit Kryekuq të Divjakës, nuk e kanë kuptuar se çfarë ka ndodhur dhe se kush ishte autori.
Menjëherë sapo kanë marrë njoftim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë kanë shkuar në adresën e dhënë dhe kanë marrë në pyetje klientët e lokalit. Xheison Toromëni është identifikuar si autor i vrasjes dhe është arrestuar disa orë më pas nga efektivët.
Besmir Kumria punonte gjatë sezonit në Himarë dhe në fshatin Kryekuq ishte kthyer për të përcjellë gruan drejt Gjermanisë, sepse ishte infermiere. Edhe vetë do të largohej më vonë.