Tri ditë më parë, Policia arrestoi me bujë të madhe përmbaruesin, i cili në fakt është denoncuar disa herë për mashtrim.

Kësaj radhe u pretendua se Prokuroria i ka siguruar provat e mjaftueshme për ta mbajtur në burg këtë përmbarues, por nuk ka ndodhur kështu. Gjykata ka vendosur ta lirojë ditën e djeshme duke i lënë detyra të caktuara Prokurorisë për të përmbushur përgjatë procesit hetimor. Fatos Alimadhi u vu në pranga pas denoncimit që i ka bërë një qytetare. Gjithçka nisi nga një shitje shtëpie ku u tha se përmbaruesi ia kishte bllokuar llogarinë për shkak pagesash. Por Prokuroria nuk ka mundur ta zbardhë mekanizmin, me të cilin funksionon përmbaruesi i vënë në pranga. E, për pasojë, Gjykata ka vendosur ta lërë të lirë derisa të përfundojnë hetimet meqë i vëni nën akuzë nuk është i rrezikshëm dhe nuk ekziston mundësia e largimit të tij jashtë vendi.

SEANCA DHE DENONCIMI

Sipas të dhënave nga Gjykata bëhet me dije se ka qenë edhe kërkesa e Prokurorisë së Tiranës që përmbaruesi të hetohej në gjendje të lirë e për pasojë, Gjykata ka liruar nga qelia përmbaruesin Fatos Alimadhi. Përmbaruesi Alimadhi u arrestua tri ditë më parë, pas kallëzimit të një shtetaseje për bllokimin e llogarisë bankare padrejtësisht. Gjykata ka thënë se Prokuroria duhet të hetojë për skemën e përmbaruesit si dhe të verifikohet kallëzimi i qytetares. Sipas dosjes, kredia është marrë në një bankë të nivelit të dytë dhe më pas është shitur te një tjetër institucion financiar mikrokredie. Rezulton se kredia është marrë 10 vite më parë dhe kredia e marrë duhej shlyer me siguracionin e jetës. Sipas të dhënave të dosjes mësohet se janë të konfiguruara të gjitha ndërhyrjet së përmbaruesit në të dhënat bankare të qytetares për shkak se ai pretendon se ka të drejtë në atë çfarë ka ndodhur. Mësohet se në ambientet e Gjykatës ditën e djeshme ishte i pranishëm edhe vëllai i të arrestuarit, ish-deputeti Adriatik Alimadhi.

PO KUSH ËSHTË FATOS ALIMADHI

Përmbaruesi Fatos Alimadhi, 54 vjeç, nuk është një emër i panjohur për Policinë, pasi kjo është hera e tij e tretë që arrestohet. Me firmën e tij të përmbarimit ‘Alimadhi SHPK’, ai është arrestuar edhe në 2015 dhe 2018 pikërisht për mashtrim, duke përvetësuar shuma të konsiderueshme parash. Por, si pas kallëzimit u arrit të zbardhet kjo skemë nga krimi ekonomik i Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave të dosjes mësohet se historia e ka zanafillën rreth 15 vite më parë. Burimet nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se një person mori në një bankë të nivelit të dytë 380 mijë euro kredi për blerjen e një vile luksoze në autostradën Tiranë-Durrës, e cila ishte në pronësi të ish-presidentit të klubit të futbollit Partizanit, Albert Xhani. Por pak kohë pasi mori kredi, qytetari humbi jetën aksidentalisht, duke lënë pa shlyer kredinë në bankë. Në këtë rast, këstet e kredisë janë bërë për vite me radhë nga siguracioni i jetës së tij, duke shlyer përfundimisht shumën e marrë nga i ndjeri. Ndërsa vila e blerë u shit nga familjarët te një person i tretë.

Sipas burimeve nga Policia, kompania e përmbarimit ishte në pronësi të Fatos Alimadhit. Në 2018, ai u arrestua pasi përfitoi 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti duke shpërdoruar detyrën. Përmbaruesi Alimadhi akuzohej se shiti një apartament, ku në ankandin e dytë, në bazë të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që parashikon ligji, duke bërë që ai të përfitonte shumën prej 32.255 euro.

Në atë kohë, Alimadhi iu shmang hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore. Edhe në 2015, Fatos Alimadhi është arrestuar për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor. Alimadhi pretendoi se me përllogaritjet e tyre, nuk është shlyer rreth 100 mijë euro nga kredia dhe për këtë arsye, në kundërshtim me ligjin, dhe pa vënë në dijeni familjarët e viktimës, i kërkuan bankës së nivelit të dytë ngrirjen e llogarisë bankare të familjes së të ndjerit. Në momentin që kjo gjë është konstatuar nga familjarët, ata kanë bërë kallëzimin në Polici.

ARRESTIMI PARA 4 VITESH
Në 2018, Fatos Alimadhi u arrestua pasi përfitoi 32.255 euro në lidhje me shitjen e një apartamenti duke shpërdoruar detyrën. Përmbaruesi Alimadhi akuzohej se shiti një apartament, ku në ankandin e dytë, në bazë të ligjit duhet të shitej me vlerë 20% më i ulët se ankandi i pari, por ky apartament është shitur disa herë më ulët se kjo vlerë që parashikon ligji, duke bërë që ai të përfitonte shumën prej 32.255 euro. Në atë kohë Alimadhi iu shmang hetimit duke zhdukur dosjen përmbarimore. Edhe në 2015 u tha se Fatos Alimadhi është arrestuar për mashtrim me pasoja të rënda, pasi ka përvetësuar 4,5 milionë lekë të reja të disa shtetasve, të cilët kishin përfituar të drejtën për shpërblim shëndetësor.

REAGIMI I ISH-DEPUTETIT

Ish-deputeti Adriatik Alimadhi reagoi në lidhje me arrestimin, duke akuzuar zyrtarë të lartë të Ministrisë së Brendshme të përfshirë në këtë çështje. “Në qoftë se vërtetohet se kallëzuesja, tezja e zv/ministër Hodaj, për të cilën disponoj fakte se përfituesi i kësaj pronësie është Juljan Hodaj kundrejt një vlere prej 395000 Euro dhe hipotekues është Monika Cela, i kërkoj Kryeministrit Edi Rama shkarkimin e menjëhershëm te tij. Për këtë i kërkoj SPAK: si i ka pasur Juljan Hodaj 395000 Euro? A janë të deklaruara këto? Me aq prova sa disponoj unë, SPAK duhet të veprojë”, shkruan Alimadhi.