“Po, Gledis Nano largohet”.
Kështu konfirmojnë burime për Albanian Post.
Shkak i largimit të Nanos vetëm 11 muaj pas marrjes së detyrës si kreu i Policisë së Shtetit është rrjedhja e informacioneve konfidenciale me interesa shtetërore.
Për gjatë gjithë periudhës së drejtimit të Nanos ka pasur rrjedhje serioze të informacionit dhe përgjegjësia kryesore bie mbi drejtorin e Policisë.
Lajmi për ikjen e tij qarkulloi që me nisjen e javës, por i pakonfirmuar nga asnjëra palë.
Po ashtu, zërat për largimin e “detyruar” të Nanos vijnë pasi në harkun kohor të dy muajve (qershor korrik) ngjarjet kriminale patën “lulëzimin” e tyre.
Nisi me vendosjen e tritolit në automjetin e 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj në Tiranë, që ende nuk është zbardhur apo dhënë emri i një të dyshuari.
Më pas kulmoi me ekzekutimet në Fushë-Krujë të Brilant Martinajt, Diklen Vatës e Besmir Hoxhës, si dhe vrasjen e Klisman Preçit në Milot dhe zhdukjen e Ervis Martinaj.about:blank
Por rrjedhja e informacionit mbetet pika e kthesës për largimin nga detyra e Nanos.
Kush është Gledis Nano?
Prej më shumë se një dekade, Gledis Nano ka shërbyer si oficer karriere në Policinë e Shtetit.
Nëse karriera e tij do të piketohej me tre momente, ato kulmojnë me dosjen e famshme të “Imamëve”, protagonizmin në riatdhesimin e shqiptarëve nga Siria dhe dëbimin e diplomatëve iranianë dhe rusë nga vendi ynë.
Në vitin 2013, ai ka kryer hetimet e dosjes se “Imameve” të arrestuar për terrorizëm, ngjarje e cila ka pasur shumë jehonë, si një nga më të suksesshmet në këtë fushë në të gjithë rajonin.
Ata akuzoheshin për rekrutim të personave, me qëllim kryerjen e akteve terroriste, si dhe nxitje dhe thirrje publike.
Nano, po ashtu, drejtoi të gjithë operacionin sekret të dëbimit një muaj më parë të diplomatëve iranianë nga Shqipëria, operacion i “përshëndetur” edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Gjithashtu, ai ka udhëhequr operacionin për të nxjerrë nga Kampi Al Hol në Siri, shtetasit shqiptarë që mbaheshin aty, duke qenë një nga emrat kyç të këtij operacioni.
Ndërsa, në gusht të vitit të kaluar Gledis Nano ishte sërish protagonist i riatdhesimit të grave dhe fëmijëve shqiptarë nga kampi në Siri.
Ai ka marrë certifikatë vlerësimi për kontributin e dhënë në luftën kundër terrorizmit global, e ndërsa për punën e tij në këto operacione të rëndësishme është vlerësuar edhe nga ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.