Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar edhe “betejën” e dytë me qeverinë.
Euronews Albania mëson se Gjykata Administrative e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke “çertifikuar” me formë të prerë si të paligjshëm shkarkimin e tij nga detyra.
Me anë të një përgjigje zyrtare, pas një kërkese për informim, administrativja e Apelit bën me dije për Euronews Albania se vendimi është marrë nga gjyqtarët Ardian Dvorani (relator), dhe Gentian Hamiti e Sokol Ibi (anëtarë).
Ky trup gjykues ka rrëzuar ankimin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme që kërkonin prishjen e vendimit që i dha të drejtë ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Në bazë të vendimit tashmë shteti duhet ti paguajë Nanos 60 paga mujore për 5 vite, rreth 100 mijë euro, sa mandati i parashikuar në ligj, i cili u ndërpre nga shkarkimi i qeverisë në 31 gusht 2022, me argumentin se nuk kishte realizuar objektivat.
Shkarkimi erdhi me propozim të ish-Ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi ndërsa kryeministri Rama ka pohuar publikisht se i kishte kërkuar dorëheqjen ish-kryepolicit Nano.
Vendimi është marrë më 26 qershor dhe nuk dihet nëse qeveria do të depozitojë rekurs në gjykatën e lartë brenda afatit 30 ditor.
Në borderon e shtetit tashmë do të vijohet të paguhen 2 paga për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa Gledis Nano është kualifikuar nga komisioni i SPAK për në fazën e dytë të garës për kreun e ri të Byrosë Kombëtare të Hetimit.