Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka vënë theksin te identifikimi i problematikave që lidhen me shërbimin e psikologut në Policinë e Shtetit dhe ka njoftuar ngritjen e një grupi pune për të kryer testim dhe vlerësim të efektivëve që gjatë procesit të punës së tyre shfaqin problematika dhe ngarkesa emocionale.

Nano ka dhënë rekomandime për përmirësimin e këtij shërbimi, në funksion të asistimit, të testimit dhe të vlerësimit të punonjësve të Policisë, të cilët gjatë procesit të punës së tyre shfaqin problematika dhe ngarkesa emocionale, sidomos në disa struktura apo njësi policore që konsiderohen me risk të shtuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

“Puna jonë e përditshme është sfiduese për ne, jo vetëm si profesionistë, por edhe si njerëz, për shkak të angazhimit 24/24 dhe të ngarkesës emocionale që kanë rastet e trajtuara.

Nisur nga ky fakt, për ne si Polici e Shtetit, është e rëndësishme që çdo punonjës, në çfarëdo niveli, të jetë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm gjatë kryerjes së detyrës, si dhe gjatë komunikimit apo ndërveprimit me qytetarët.

Që të vlerësohet kjo, ne kemi nevojë që shërbimi i psikologut në strukturat tona, të jetë efikas dhe të përmbushë në mënyrën më të mirë dhe me standarde europiane, rolin dhe kontributin e tij shumëdimensional.

Për këtë qëllim, ne kemi ngritur një grup pune, në mënyrë që ky proces të kryhet në mënyrë sa më të plotë, duke marrë për bazë jo vetëm legjislacionin shqiptar të fushës, por edhe eksperiencën e shërbimit të psikologut të policive të vendeve të tjera dhe në bashkëpunim edhe me misionet policore që asistojnë Policinë e Shtetit”, u shpreh Gledis Nano.

Deklarata e drejtorit Nano vjen pak kohë pas një ngjarje të rëndë që tronditi Komisariatin nr. 3 në Tiranë.

Në muajin maj 2022, efektivi i patrullës së përgjithshme, Çaush Saliasi u vra nga kolegu i tij Ludian Zaimi brenda ambienteve të komisariatit.

Në gjykatë, nën tronditjen e thellë psikologjike ai pranoi se merrte ilaçe, por nuk ka ditur të shpjegojë se çfarë lloj medikamentesh ishin dhe se për çfarë sëmundjeje përdoreshin.

Më herët, Zaimi i kishte treguar avokatit mbrojtës, se ai i merrte ilaçet për t’u qetësuar.