Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Durrësit si autorë të disa vjedhjeve. Mësohet se të arrestuarit, të moshave 26, 32 dhe 55 vjeç, vepronin si grup dhe mbanin në vëzhgim banesat e biznesmenëve dhe të shtetasve me funksione publike, që t’i kryenin vjedhjet kur nuk kishte njerëz në to.

Hetimet nisën pas denoncimit të disa qytetarëve se në banesat e tyre, në lagjet e ndryshme të qytetit, iu kishin vjedhur para dhe sende me vlerë. U sekuestruan rreth 115 000 lekë, bizhuteri dhe aksesorë të tjerë të vjedhur, si dhe veshje të përdorura nga të arrestuarit, gjatë vjedhjeve, 2 celularë dhe 3 automjete.

Ata përdornin shkallë dhe litarë për t’u ngjitur në katet e pallateve dhe më pas hynin nëpër banesa. Policia njofton se tre të arrestuarit kanë kryer shtatë vjedhje, mes tyre edhe banesën e një gjyqtareje.

Në pranga kanë rënë:

– Ilir Sharka, 26 vjeç
– Aldi Rama, 32 vjeç
– Arif Nezha, 55 vjeç

Vjedhjet e kryera:

-më datë 05.06.2023, kanë vjedhur në banesën e një gjyqtareje 3 çanta dhe 3 000 euro;
-më datë 16.10.2022, kanë vjedhur në një banesë 40 000 lekë dhe 2 bizhuteri floriri;
-më datë 21.01.2023, kanë vjedhur në një banesë 11 000 euro dhe bizhuteri me vlerë 5000 euro;
-më datë 09.05.2023, kanë vjedhur në një banesë 1 000 000 lekë dhe bizhuteri me vlerë 200 000 lekë;
-më datë 15.07.2023, kanë vjedhur në një banesë 4000 euro dhe 150 000 lekë;
-më datë 31.08.2023, kanë vjedhur në një banesë 1500 euro;
-më datë 30.09.2023, kanë vjedhur në një banesë 100 000 lekë dhe bizhuteri floriri. /abcnews.al