Filipinet kanë akuzuar Rojet Bregdetare të Kinës për nisjen e një “sulmi brutal” me armë të ftohta gjatë një përleshjeje në Detin e Kinës Jugore në fillim të kësaj jave.
Akt ky që shihet si një përshkallëzim i mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.
Pamjet e publikuara nga ushtria e Filipineve të enjten treguan oficerët e rojës bregdetare kineze duke tundur një sëpatë dhe armë të tjera të ftohta ndaj ushtarëve filipinas dhe duke dëmtuar varkën e tyre prej gome, në atë që Manila e quajti një akt të pacipë agresioni.
Incidenti është i fundit në një seri konfrontimesh gjithnjë e më të ashpra në rrugën ujore të pasur me burime dhe me rëndësi strategjike.
Collin Koh, studiues në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare S. Rajaratnam në Singapor, tha se ishte e paprecedentë që forcat e rendit detar të Kinës të hipnin në një anije detare të Filipineve.
“Ato mund të jenë varka gome, por kjo nuk e ndryshon faktin që ato janë anije të Marinës Filipine, dhe sipas ligjit ndërkombëtar, ato gëzojnë atë që ne e quajmë si imunitet sovran. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse, kjo mund të interpretohet edhe si një akt lufte,” tha Koh.
Në një konferencë shtypi të mërkurën, zyrtarë të lartë ushtarakë filipinas thanë se oficerët e Rojës Bregdetare të Kinës hipën ilegalisht në barkat e tyre prej gome, grabitën shtatë pushkë të çmontuara të ruajtura në kuti armësh, shkatërruan motorin e jashtëm, vodhën pajisjet e komunikimit dhe navigimit dhe morën pajisjen personale, telefonat celularë të personelit filipinas.
Si pasojë e sulmit një nga ekuipazhi i rojës së Filipineve humbi një gisht.
“Vetëm piratët e bëjnë këtë. Vetëm piratët hipin, vjedhin dhe shkatërrojnë anije, pajisje dhe sende”, tha në një deklaratë gjenerali Romeo Braëner Jr, Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Filipineve.