Ndodhet fare pranë Elbasanit, Cërrikut, Gramshit por edhe Tiranës. Zona e Gramshit tashmë e kthyer në një destinacion të vërtet turistik për vlerat e saj natyrore, antike dhe kulturore, ku çdo fundjavë tërheq vizitorë të shumtë edhe për shkak të një infrastrukture rrugore të përfunduar me parametra cilësorë që siguron një udhëtim komod. Me hapjen e hidrocentralit të Banjës, rruga në drejtim të Gramshit dhe vlerave të tij turistike, ka mundësuar dhe zhvillimin e ekonomisë turistike në këtë zonë dikur të izoluar.
Vetë vepra arkitekturore e hidrocentralit që gjendet pranë këtij qyteti, është kthyer në një destinacion turistik. Kureshtar të fushës së ndërtimeve, turistë të natyrës, të aventurës, qytetaër të thjeshtë, pothuajse çdo ditë udhëtojnë drejt tij. Përveç veprës teknike, aty është krijuar dhe një liqen madhështor mes malesh që tërheq mjaft kureshtarë
Edhe nga lartësitë e Gjinarit, ky liqen paraqet një pamje madhështore. Por Gramshi ka dhe pika të tjera natyrore që bëhen të vizitueshme sidomos në fundjavë, siç është dhe Liqeni i Zi, që ndodhet pranë fshatit Lenie, 1634 m mbi nivelin e detit. Aty jo vetëm në stinën e verës por edhe në atë të dimrit, zona popullohet me çadra dhe makina që parkohen rreth liqenit. Shumë vijnë për t’u kuruar në burimin e ftohtë të këtij liqeni i cili nga vendasit konsiderohet si një burim jetëdhënës.
Egnatia news