Xhihadistë me pasaporta të rregullta mund të kalojnë nëpër Greqi. Masa ekstreme sigurie në portet dhe aeroportet e vendit.

Shërbimet sekrete greke janë vënë në alarm të kuq mbas informacioneve të marra në rrugë operative se anëtarë të organizatave islamike që tashmë morën kontrollin e pushtetit në Siri, mund të përdorin infrastrukturën shtetërore siriane për tu pajisur me pasaporta të rregullta dhe të udhëtojnë drejtë vendeve të Europës.

Burime të besueshme i thanë Top Channel se janë dhënë urdhra dhe direktiva të qarta në pikat hyrëse të vendit, porte dhe aeroporte për verifikimin dhe ndalimin e çdo personi të dyshuar.

Sipas informacione bëhet fjalë për seri të caktuara të pasaportave biometrike siriane të cilat kanë rënë prej muajsh në dorë të grupeve radikale, madje besohet se lideri i xhihadistëve sirianë Al Xhuliani ka përdorur disa herë aeroportet greke për të udhëtuar drejtë Belgjikës dhe vendeve të tjera europiane.

Dyshimet  për aktivitetin e grupeve radikale janë shtuar edhe prej informacioneve të Europol, të cilat bëjnë fjalë për tentativa të organizatave radikale për t’u riformatuar ose për shtimin e radhëve të tyre mes emigrantëve që mbërrijnë në ishujt grekë.

Europol ka paralajmëruar se këto organizata financohen kryesisht prej trafikut të drogës, armëve dhe emigrantëve klandestinë, ndërsa degët e tyre janë përhapur edhe në shumë vende të Europës.

Ndërkohë autoritet greke gjatë orëve të paradites të së mërkurës së 11 dhjetorit do të vendosin për pezullimin e kërkesave për azil të më shumë se 3500 shtetasve sirianë që jetojnë në vend.

Vendimi është marrë prej kryeministrit Mitsotakis dhe do të marrë edhe formalisht vulën e këshillit të sigurisë kombëtare që mblidhet urgjentisht mesditën e së mërkurës. Në këtë mënyrë u jepet mundësia gjithë shtetasve sirianë të përndjekur nga regjimi i al-Assad, të kthehen të lirë në vendin e tyre, thanë burimet.

Të njëjtat burime i thanë Top Channel se gjatë orëve në vazhdim do të dërgohet në drejtoritë e rajonale të kufirit edhe urdhri për kontrolle të rrepta edhe të zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të regjimit al-Assad të cilët gjatë ditëve të fundit kanë zgjedhur Greqinë për t’u tranzituar drejt vendeve europiane dhe SHBA-ve.

Mësohet se ndaj këtyre zyrtareve do të aplikohen kontrolle të rrepta kufitare dhe doganore ndërsa gjatë ditëve dhe orëve në vazhdim do të urdhërohet identifikimi dhe inventarizimi i pronave dhe llogarive bankare në territorin e Greqisë  të ish-zyrtarëve të lartë të regjimit të al-Assad.

Vlen të përmendet se Athina ka ndaluar çdo kontakt me qeverinë e al-Assad që në vitin 2012 dhe largoi si “non-grata” ambasadorin sirian në Greqi në atë periudhë, pasi më parë njohu opozitën e atëhershme si përfaqësuese të vetëm të Sirisë.

Top Channel