Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i ka kërkuar mesditën e së shtunës Presidentes së Republikës shpërndarjen e parakohshme të Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në datën 21 maj.

Me vulosjen e dekretit përkatës presidencial ditën e hënë më 24 prill Greqia hyn edhe zyrtarisht në fushatë elektorale.

Në këtë mënyrë stafet partiake dhe kandidatët për deputetë i nënshtrohen rregullave zgjedhore, me kufizime specifike për daljet televizive, ndërkohë që zëvendësohet ministri i Brendshëm dhe përfaqësuesi i qeverisë.

Karakteristikë kryesore e këtyre zgjedhjeve është se për herë të parë ato zhvillohen me sistem të thjeshtë proporcional dhe si rezultat asnjë parti nuk mund të fitojë shumicën në parlament pasi do duhet të përqëndrojë mbi 46% të votave.

Kështu që interes të veçantë do të ketë e nesërmja e zgjedhjeve, pasi brenda dhjetë ditëve do të duhet të përfundojë procesi i mandateve për qeverisje që do të marrin tre partitë e para, ndërkohë që ndasitë mes tyre për të krijuar qeveri koalicioni janë tepër të mëdha.

Ndaj nuk përjashtohet që liderët e partive t’ia kthejnë mandatin zonjës Sakellaropoulou në një kohë më të shkurtër. Megjithatë, gjykatat kompetente do të kenë ratifikuar deputetët e zgjedhur dhe në të njëjtën kohë do të konstituohet Parlamenti i ri si organ.

Në këtë rast Presidentja e Republikës duhet të emërojë Kryeministër një nga kryetarët e tre gjykatave supreme të vendit dhe të betohet qeveria e përkohshme që do të udhëheqë vendin, në zgjedhjet e dyta, me sistemin e zgjeruar proporcional.

Pas betimit Kuvendi i ri do të mblidhet në fillim të qershorit, për seancë parlamentare dhe më pas…do të shpërndahet në fillim të korrikut për zgjedhjet e dyta me shumë gjasa në datën 2 korrik.

Nëse edhe atëhere nuk do të dalë një qeveri me shumicë parlamentare, atëherë procesi i mandateve ripërsëritet. Dhe nëse nuk është e mundur të formohet një qeveri bashkëpunimi, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje të treta, ndoshta në fillim të shtatorit.