Deputetja e Partisë Demoratike, Grida Duma, u shpreh e bindur se PD do të bashkohet dhe kjo do të ndodhë sipas saj nga nevoja që kanë njerëzit për të fituar.

E ftuar në emisionin Kjo Javë në News 24. Duma tha se demokratët në bazë kanë filluar të sheshojnë ndasitë, pasi dëshirojnë të fitojnë zgjedhjet lokale.

“Nuk u shqetësova fare unë nga vendimi i gjyqit. Unë pas 6 marsit kuptova zgjedhjen e demokratëve.

Nuk besoj te procedurat. Nuk është çështja te logoja dhe vula, kjo nuk i dha dhe nuk i hoqi asgjë asaj që njerëzit ndiqnin. Ra klisheja. Klisheja e parë ka rënë kur ne kemi humbur pushtetin pas 8-vitesh.

Ua kam thënë kolegëve, humbje pas humbje nuk mund të durojnë më njerëzit. Duhet një riformulim i madh, nuk kemi luksin të humbim asnjë. Për këtë arsye nuk dua të flas në gjuhën e ndasisë. Do të ketë një bashkim, do të vijë nga nevoja për ta bërë fituese. Unë jam e bindur që do të ketë një bashkim dhe do të ketë një bashkim.

Unë takoj, telefonoj strukturat e demokratëve dhe shikoj që thonë “ju atje lart nuk jeni bashkuar, por ne këtu jemi bashkuar se duam të fitojmë bashkitë”. Njerëzit e kanë ndërtuar bashkimin nga nevoja dalëngadalë”, tha Duma.

Në lidhje me qëndrimin e saj kundër “Foltores”, Grida Duma tha se nuk ndjen aspak pendesë, pasi sipas saj është çështje personaliteti dhe ajo do të vijojë të mbajë qëndrime të forta.

“Unë do të vazhdojë të jem e fortë në qëndrime është çështje personaliteti. Njeriu lind me disa karakteristika, edhe atëherë kur vetë do t’i kishte ndryshe disa, por jo për këto, për këto unë nuk pendohem fare. Karakteristikat e të thënit të gjërave me zërin e duhur.”, tha Duma