Erion Murataj PSD

Shtatë persona, pesë shqiptarë dhe dy italianë u arrestuan nga policia gjatë një operacioni kundër trafikut të drogës në zonën e Barit. Për pesë persona u vendos masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa dy prej tyre u lanë në “arrest shtëpie”.

Hetimet e kryera nga shkurti deri në shtator 2023, nisën pas denoncimit për zhdukjen e një të riu dhe deklarimeve të tij pasi u gjet.

Ai u gjet në shtëpinë e një miku, i cili sipas mediave italiane ishte përdorues droge. Gjatë hetimeve u sekuestruan 510 bimë marihuanë në një total prej 48 kg. Gjithashtu u sekuestruan 101 gramë kokainë dhe 100 gramë hashash.

Nëpërmjet veprimeve të mëtejshme hetimore u arrit të çmontohej grupi i shqiptarëve dhe italianëve, të cilët merreshin me trafikun e drogës.

Anëtarët e grupit përdornin fjalë të koduara për të biseduar me njëri-tjetrin.

Ndër emrat e përdorur ishin “birra-birretta-birrona” ose “mano-pizze-chiara” për të identifikuar përkatësisht llojin e drogës dhe sasinë e lëndës së kërkuar.

Gjatë hetimeve u dokumentuan 124 ngjarje të trafikut të drogës.