Grupi Parlamentar i PS ka kallëzuar në SPAK deputetin e PD Bledjon Nallbati, pasi ky i fundit në seancën e së hënës tentoi të godiste me grusht, deputetin socialist Vullnet Sinaj.

Nallbati në kallëzimin e socialistëve akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”. Ngjarja ndodhi në seancën e së hënës, ku pati tensione dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Në momentin që deputeti Sinaj po fliste, Nallbati iu afrua dhe në një moment tentoi ta godiste. Lajmin për kallëzimin e tij e ka bërë kreu i grupit të socialistëve Bledi Çuçi.

Njoftimi i Çuçit:

Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.

Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin.

Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament.