Matias ishte vetëm, kur babai i tij që aq shumë e donte, e kapi në befasi: Hyri në shtëpi për ta vrarë atë barbarisht, duke e goditur me thikë në fyt. Me gjasë kishte çelësat e ndërtesës 44-vjeçari polak Mirko Tonkoë, i cili prej 2 muajsh e kishte të ndaluar t’i afrohej djalit dhe gruas së tij shqiptare, nga e cila ishte në proces divorci.

Hetuesit po punojnë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes së ndodhur pasditen e së martës në shtëpinë e familjes që jetonte në Cura di Vetralla, në provincën e Viterbo në Itali.

Tonkoë u arrestua për vrasjen e djalit të tij 10-vjeçar. Për hetuesit, vrasja dyshohet se ka ardhur në shenjë hakmarrje ndaj nënës së djalit, shqiptares 37-vjeçare Marjola Rapaj, e cila i kishte dhënë fund lidhjes së tyre.

Në derën e shtëpisë që ndodhej në kat të dytë nuk ka asnjë shenjë që të tregojë se është përdorur forcë. Ndoshta, Mirko Tonkoë thjesht hyri në shtëpinë ku kishte jetuar deri në fillim të Shtatorit dhe e surprizoi të birin ndërkohë që bënte detyrat, ose kur sapo kishte mbaruar së ngrëni bukë. Marjola, e shtruar në spital në gjendje shoku, mësohet se ka dhënë dëshminë e saj para autoriteteve italiane. Ajo mësohet se e kishte udhëzuar të birin që të mos ia hapte derën askujt, as të atit.

Megjithatë, të shtunën e shkuar ajo kishte vënë re që i mungonte një çelës. “Nuk e di nëse e kam humbur çelësin apo ma ka marrë Mirko, gjithsesi kisha vendosur ta ndryshoja bravën, por tepër vonë”, mësohet të ketë thënë e dëshpëruar shqiptarja.

Të martën kishte qenë Ubaldo, bashkëshorti i motrës së Marjolës që e kishte marrë Matiasin nga shkolla, ndërkohë që 37-vjeçarja ishte në punë. Ai i kishte propozuar që të drekonin bashkë, por Matias kishte preferuar të shkonte në shtëpi: e ëma, e cila do kthehej herët në shtëpi, ia kishte lënë gjithçka gati.

Ndoshta Matias mund edhe të jetë gëzuar që po shihte të atin të kthehej në shtëpi… Mediat fqinje shkruajnë se ai ishte i dhunshëm, sidomos pasi pinte. E duket se 10-vjeçari e kuptoi që donte t’i bënte keq, pasi tentoi të largohej me vrap, por i ati e kapi dhe e ktheu në shtëpi. Një fqinje e dëgjoi të vraponte poshtë nëpër shkallë. Por kur i ati i bërtiti “hajde shpejt këtu”, Matias u bind, duke u kthyer tek i ati. E njëjta fqinje dëgjoi edhe ulërimat e Marjolës, e fillimisht mendoi se polaku të cilin të gjithë e kishin frikë, po e rrihte sërish. Ndaj ajo njoftoi karabinierët. Por qe tepër vonë.

Mediat italiane kanë përcjellë po ashtu detaje për krimin, të vështira për t’u treguar. Ai u gjet me gojë e hundë të mbyllur. Sa i përket thikës, autoritetet thonë se i ati e mori nga kuzhina.

44-vjeçari kishte marrë me vete edhe benzinë me të cilën kishte lyer çarçafët e shtratit ku dergjej trupi i 10-vjeçarit, me qëllim që t’i vinte flakën. Ndoshta sasia e tepër e hedhur nga kjo substancë bëri që të humbiste ndjenjat dhe aktualisht ai ndodhet në spital të koma etilike. Pikërisht ky fakt i ka penguar hetuesit që ta marrin në pyetje.

Marjola mbahej nën mbikëqyrjen e autoriteteve policore. Ata e telefonin shqiptaren çdo ditë për t’u siguruar që ishte mbrojtur. Të hënën jo u kishte thënë se gjithçka shkonte në rregull dhe se i shoqi nuk ishte dukur më. Prokurori i Viterbo, për mediat sqaroi se hetimet për Tomkoë, nuk kishin nisur nga 37-vjeçarja, por nga një mikeshë e saj. Më pas kishte qenë vetë Marjola që kishte konfirmuar gjithçka, por pa bërë asnjëherë denoncim. Kishin dalë në dritë kërcënime me vdekje, dhunë fizike ndaj shqiptares qëkur kishte qenë shtatzënë. Madje edhe një shkelm në bark. Në Gusht, Mirko në gjendje të dehur i kishte thënë: Do të vras, do të të ve flakën me benzinë e më pas vetëvritem. Ndërsa me të birin nuk kishte qenë kurrë i dhunshëm.

“Që do arrinte t’i bënte keq Matiasit nuk më kishte shkuar ndërmend. Kushedi çka në mendjen e tij, e imja tashmë është bosh, si zemra ime”, tha nëna e 10-vjeçarit, e cila mendonte se do të vriste atë, po kurrë të birin

(E.H/Faxweb