Nga 22 shtete që Prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion në lidhje me sulmin kibernetik në vendin tonë, vetëm për 3 prej tyre ka arritur ta sigurojë atë.
Burime për Abc News konfirmojnë se shtetet si Danimarka, Singapori dhe Holanda kanë përcjellë të dhënë për hetuesit shqiptarë gjatë shkëmbimeve të informacionit. Por mësohet se deri më tani, të dhënat e dërguara, nuk i kanë ndihmuar hetuesit në zbulimin e autorëve fizik të sulmit që ndodhi në korrik të këtij viti.
Nga verifikimet ka rezultuar se IP e identifikuara në këtë vende janë të lëvizshme dhe është e pa mundur që ato të gjurmohen
Më herët prokuroria e Tiranës ka kërkuar bllokimin e publikimit të materialeve të hakeruara në sistemin e akshit dhe ministrisë së brendshme duke kërkuar bashkëpunimin e Anglisë, Kinës dhe Rusisë.
Por deri më tani nuk ka ende një përgjigje zyrtare nga këto shtete dhe për këtë hakerat iranianë vazhdojnë të publikojnë dokumente përmes faqeve në rrjetin telegram me emrin “Homeland Justice”.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se, hakerat fillimisht kanë tentuar të sulmojnë sistemet e AKSHI-it, por dështuan.
Më pas, ata përdorën sistemin administrata.al për të hyrë në faqet e qeverisë duke goditur disa prej sistemeve digjitale të vendit dhe përfituar të dhëna sensitive. Deri me tani nën hetim janë marrë 5 persona, të cilet akuzohen për shpërdorim detyre dhe po hetohen në gjendje të lirë./Abcnews.al./