Hakerat iranianë që sulmuan Shqipërinë, vijojnë të publikojnë të dhëna mjaft sensitive nga sistemet kompjuterike shtetërore. 

Në një grup në Telegram, hakerat e “Homeland Justice” kanë publikuar listat nga sistemi i policisë “MEMEX”, ku janë të listuar personat e dyshuar për veprimtari kriminale në Shqipëri. 

Një ndër personat që figuron si e dyshuar është Elisa Spriropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht eksponente e lartë e Partisë Socialiste. Është e paqartë pse Spiropali ka qenë në radarët e policisë dhe për çfarë është dyshuar dhe verifikuar konkretisht. 

Emër, mbiemër, numër ID, foto, data dhe vendi i lindjes shfaqen në dokument për rreth 90 mijë qytetarë të dyshuar.

Hakerat nxjerrin të dhëna sekrete, Elisa Spiropali mes të

Kujtojmë se pas sulmit kibernetik, kryeministri Rama i siguroi shqiptarët se informacioni i vjedhur nga hakerat nuk është sensitiv dhe nuk përmban të dhëna sekrete apo të rëndësishme, por me sa duket deklarimet e Ramës janë të pavërteta. Deri tani hakerat kanë publikuar informacion mjaft të dëmshëm për institucionet, si emailet e ish drejtorit të Policisë së Shtetit, Gledis Nano dhe një numri të lartë zyrtarësh. 

Publikimi i të dhënave të MEMEX, pritet të shkaktojë një furtunë të re në Shqipëri. 

Policia e Shtetit mohon që të jetë prekur sistemi MEMEX dhe që këto të dhëna të kenë dalë prej aty, por apelon mediat që gjithsesi të mos i publikojnë. 

“Nga deklarimet e bëra sot në media dhe referimet e këtyre deklarimeve, sipas të cilave janë marrë të dhëna nga sistemi MEMEX, sqarojmë opinionin publik se ky sistem nuk është prekur dhe se këto të dhëna nuk kanë të bëjnë fare me databazën e sistemit policor MEMEX.

Policia e Shtetit njofton se, deri në këto momente, nuk janë prekur apo dëmtuar të dhëna sensitive që administrohen në këtë sistem, të cilat kanë të bëjnë me punën policore.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët, po heton origjinën e rrjedhjes së këtyre të dhënave dhe apelon që, në zbatim të urdhrit të prokurorit, të datës 19.09.2022, të mos publikohen nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit, të dhëna që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik ndaj sistemeve dixhitale të Policisë së Shtetit”, thuhet në deklaratën e policisë.