Gjatë dy ditëve të fundit, faqja ‘Homeland Justice’ ka publikuar të dhënat për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Gledis Nano, si dhe kjo faqe ka nxjerrë në shitje të gjithë databazën e të dhënave të përftuara gjatë dy sulmeve kibernetike të Iranit në sistemin TIMS dhe e-Albania për shumën rreth 800 euro. Për pasojat e këtij sulmi kibernetik si dhe dëmet që i janë shkaktuar sigurisë kombëtare nga publikimi i këtyre të dhënave shumë sentive u diskutua në studion e ABC live me gazetaren Sibora Bitri.

Në studio me gazetarët Ermal Vija dhe Xhevahir Zhabina u fol edhe për përfshirjen e policisë në mbrojtjen apo të mos veprimit në rastet kur informacioni për grupet kriminale ekzistonte. Të dhënat e publikuara kanë zbuluar më shumë detaje për rastin e Talo Çelës, ku policia kishte informacion se ku ishte, ndërkohë që në këtë rast mungon vetëm ndërhyrja e policies.

Xhevahir Zhabina: ‘Talo Çela lëvizte lirë në kryeqytet, ndërkohë që policia e shtetit nuk ndërhyri gjatë gushtit të vitit 2021’.

Për gazetarët e pranishëm në studion e ABC Live ‘policia ka pasur informacion edhe për të tjerë, por ka zgjedhur të mos reagojë’.

Ermal Vija: ‘Policia e shtetit ishte e informuar mirë, domethënë që ka patur mbrojtjen e policisë së shtetit,dhe këto hakerime tregojnë edhe për akuzat e kahershme që policia është e lidhur me krimin’.

Bledi Gilaj: ‘Strukturat e policisë janë shkatërruar ndër vite, informacioni kriminal tashmë jepet nga grupet rivale, jo si punë e mirëfilltë e strukturave të policisë’.

Të pranishmit në studion e ABC Live theksuan që tashmë grupet kriminale, të gjitha grupet kriminale, kanë të gjithë të dhënat, të gjithë listën e bashkëpunëtorëve të strukturuar, me foto, me adresa, dhe është shumë e thjeshtë për të hyrë në faqen ‘Homeland Justice’, dhe për ti marrë këto dhëna duke qenë se kjo faqe ka nxjerrë në shitje të gjithë databazën në shumën 800 dollarë.

/abcnews.al/