Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, ka bërë të ditur në mbrëmjen e së hënës se është pamundësuar lëvizja e autobusëve dhe kamionëve nga Kosova për në Serbi, në pikëkalimet Jarinjë dhe Merdare.

Bllokadat besohet se janë shkaktuar si pasojë e protestave që janë duke u mbajtur në territorin serb.

Sipas ministrisë, as kalimi i veturave nuk është i sigurt.

Në disa grupe në rrjetin social, Telegram, serbët kanë thënë se rrugët janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovs, prej javës së kaluar.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim më 14 qershor për të shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë

Vendimi është marrë pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë.

Autoritete e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

Sipas autoriteteve serbe, policët dyshohet se kanë kryer veprën penale: prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse.

Këto shkelje janë të dënueshme me deri në 12 vjet burgim.

Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për lirimin e tyre pa kushte. REL