Një ditë pasi Kosova aplikoi për t’u anëtërësuar në Këshillin e Europës, Serbia pretendon se 4 shtete kërkojnë që të tërheqin njohjen e Kosovës.
Pas këtij lajmi, sot ka ardhur dhe reagimi i autoriteteve të Kosovës përmes Ministrisë së Jashtme.
Gjatë një konferencë për media, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, u pyet lidhur me deklaratën e ministrit serb,Nikola Selakoviç, i cili tha të premten se i kishte dorëzuar presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, notat diplomatike të katër vendeve që tërhoqën njohjen e Kosovës.
Gërvalla tha se deri më tani nuk kanë marrë ndonjë informacion për ndonjë çnjohje të shtetit të Kosovës.
“Fakti që vetëm disa orë pas aplikimit të Kosovës ata thonë se kanë siguruar çnjohje tregon dy gjëra: Ose lajmi është i pavërtetë ose ata kanë shumë kohë që punojnë për njohje për dallim nga ajo që deklaruan publikisht”, tha Gërvalla.
Ende nuk bëhet me dije se cilat shtete kanë kërkuar çnjohjen e Kosovës, sipas pretendimeve të zyrtarëve serbë.
Theksojmë se kjo deklaratë erdhi vetëm një ditë, pasi Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjë që Serbia e kundërshton.
Serbia pretendon se Kosova me aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit të arritur në shtator të vitit 2020.
Në këtë marrëveshje parashihej që në një periudhë kohore prej një viti, Kosova të mos aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërkaq Serbia të pezullonte fushatën për çnjohje të Kosovës.