Shkon në 4 numri i kutive të numëruara nga 18 që i përkasin Bashkisë së Kuçovës. Është konstatuar se në 3 kuti votimi nuk ka pasur proces verbal të mbylljes. Kolegji ka dhënë urdhrin për hapjen e kutisë së materialeve.

Ndërkohë është e konstatuar në një kuti votimi se edhe pse kanë rezultuar 629 fletë votimi në proces verbal, në numërim kanë dalë 700 fletë votimi. Bashkë fitojmë pretendon se ato janë vota të vjedhura. Ndërkohë po verifikohen dhe fletët e papërdorura si dhe ato të pavlefshme.

Kandidati Maliqi pretendon se 30 fletë votimi në kutinë e parë janë të favor të tij, ndërsa Kolegji Zgjedhor po verifikon dhe provat materiale.

Diferenca mes Maliqit dhe Hajdarit në zgjedhjet e 14 Majit ka qenë më shumë se 600 vota, por kandidati i opozitës pretendon për një sërë shkeljesh dhe parregullsish gjatë procesit, shtuar këtu edhe blerjes së votave, duke akuzuar në mënyrë direkte dhe të vazhdueshme dhe biznesmenin Pëllumb Salillari.

Nga ana tjetër, Maliqi akuzon kundërshtarin e tij, Hajdarin, se ka fshehur një dënim në formularin e dekriminalizimit, pretendim për të cilin ka nisur dhe një hetim nga ana e SPAK.

Në zbatim të vendimmarrjes të një jave më parë, në Kolegjin Zgjedhor do të rinumërohen sot 18 kuti të Bashkisë Kuçovë.

Për këtë qëllim në sallë janë montuar pajisjet për 4 tavolina numërimi. Në seancën e kaluar kandidati humbës në Kuçovë, Lefter Maliqi, pretendoi një sërë parregullsish në procesin zgjedhor të 14 majit në Kuçovë.

Sipas tij, 18 kutitë që do të rinumërohen kanë qenë jashtë këndit të shikimit të kamerës vëzhguese të KQZ në KZAZ-në e Kuçovës.

(E.K/Faxweb.al)