Frika e ruan vreshtin. Këtë shprehje shqiptarët e kanë përdorur në shekuj për situata të ndryshme. Sot këtë shprehje mund ta përdorim pa frikë për zgjedhjet. KQZ po hap 10 % të kutive të 14 majit dhe nga verifikimi i deritanishëm, votat nuk janë vjedhur.

Në Komisioni Qendror të  Zgjedhjeve po numërohen votat e 526 qendrave të votimit. Këtu përfshihen edhe votat për zgjedhjet e përsëritura në Kukës e Rrogozhinë.

Këto kuti janë zgjedhur përmes një procesi shorti dhe përfshijnë të gjitha bashkitë e vendit, pa asnjë përjashtim e për të kontrolluar nëse vota është numëruar ashtu sic qytetarët e kanë shprehur, apo komisionerët kanë abuzuar duke e deformuar vullnetin e tyre.

Rinumërimi i votave po bëhet nga specialistë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, dhe ky është një detyrim i ri ligjor që i ngarkohet KQZ-së për verifikim paszgjedhor.

Qëllimi ka qenë që të frenohej vjedhja e votave nga numëruesit, sepse të gjithëve potencialisht mund tu bjerë shorti të verifikohen pak muaj më pas.

Hera e parë që kjo procedurë u krye, ishte për zgjedhjet e fundit parlamentare. Hapja e kutive tregoi se kishte pasur lëvizje të votave, jo nga një parti tek tjetra, por brenda vetë kandidatëve të së njëjtës parti.

Meqë votohej edhe për partinë edhe për deputetin e preferuar nga lista e partisë, numëruesit kishin bërë zhvendosje të orientuara votash, nga një kandidat tek një tjetër, brenda të njëjtës familje politike.

Asokohe KQZ njoftoi kallëzime penale për këta numërues, por ndëshkimi i tyre thuajse nuk u pa. Procesi për disa prej tyre vijon ende./abcnews.al