
Zbardhen detaje të reja nga vrasja në Vlorë e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj pak ditë më parë që solli arrestimin e parë ditën e sotme. I dyshuari shfaqet në kamerat e sigurisë me maskë të zezë në fytyrë, kapele dhe dorashka, teksa largohet nga vendi i krimit.
Identifikimi i tij është në proces, ndërsa policia po analizon pamjet për të zbardhur identitetin dhe itinerarin e ndjekur pas ngjarjes.
Ndërkohë, bashkëjetuesja e viktimës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni për ndonjë konflikt që ai mund të kishte pasur. Ajo ka dëgjuar të shtënat por ka menduar se ishin fishekzjarrë.
Një ndër pistat kryesore ku është përqendruar hetimi lidhet me pronësinë. Sipas burimeve pranë familjes së Hoxhajt, së fundmi ai kishte marrë kërcënime për të dhënë tokën e tij për ndërtim, por kishte refuzuar.
Zona ku ndodhej banesa e viktimës është e lakmuar për zhvillime të reja urbane, dhe vetëm pak metra larg saj është ndërtuar një pallat ku çmimi i apartamenteve shkon deri në 1500 euro për metër katror.
Policia ka ndaluar Erlis Mehmetin, me origjinë nga Tropoja. Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se i ka dhënë një makinë autorit që vrau Renato Hoxhajn në Vlorë.
Erlis Mehmetajt i është sekuestruar edhe një telefon, ku janë gjetur biseda që kanë ndihmuar grupin hetimor në identifikimin e autorit të dyshuar, por pa mundur ende arrestimin e tij. Ndërkohë, një prej autorëve të dyshuar dyshohet se është larguar ilegalisht në Greqi
