Komisioni për Politikën e Jashtme zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kandidatin për Ambasador të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë, në Ukrainë, Ernal Filo.

Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e jashtme, Artemis Malo bëri një prezantim të kandidatit Ernal Filo. Ajo u shpreh se, “përfaqësia diplomatike në Ukrainë hapet për të parën herë”.

“Filo është një diplomat me një përvojë shumë të gjatë në MEPJ. Mban aktualisht gradën “Ministër fuqiplotë” dhe shërben në Drejtorinë e Protokollit të Shtetit. Filo shërben për politikën e jashtme që prej vitit 1997, i ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi të ndryshme, duke treguar seriozitet dhe përgjegjësi maksimale profesionale”, tha ai.

“Vendimi i qeverisë shqiptare për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së  Shqipërisë në Kiev, duke gjykuar nga aktualiteti që po përjeton sot Ukraina, është një dëshmi e qartë e rëndësisë dhe mbështetjes që Shqipëria i ka kushtuar kësaj situate, por sigurisht dhe qëllimi dhe vendosmëria për sigurinë dhe paqen rajonale dhe jo vetëm”, u shpreh Malo.

Në fjalën e tij para Komisionit, Filo u shpreh se, “propozimi për të hapur për herë të parë përfaqësinë e Republikës së Shqipërisë në Kiev dhe situata faktike në të cilën ndodhet Ukraina, tregojnë se vendi ynë po i jep rëndësinë e duhur vendeve dhe rajoneve që sot janë në qendër të fokusit diplomatik ndërkombëtar dhe që përbëjnë një çështje sa kritike, aq edhe sfiduese për paqen dhe sigurinë në kontinentin evropian”.

Nga ana tjetër, shtoi ai, “gjykoj se situata në të ardhmen mund të jetë me përfitime për ne dhe këtu kam parasysh angazhimin që mund të ofrojmë së bashku me vende të tjera të rajonit, ku kompanitë tonë të mund të përfitojnë nga fondet e rindërtimit të qyteteve të shkatërruara të Ukrainës kur të përfundojë lufta dhe kur Rusia duhet të mbahet përgjegjëse për dëmet ekonomike dhe humbjen e civilëve të pafajshëm”.

Filo theksoi se, “një angazhim i tillë në vazhdimësi do të na mbajë të klasifikuar ndër vendet mike me Ukrainën që iu gjendëm pranë në momente të vështira”.

“Marrëdhëniet diplomatike me Ukrainën datojnë që nga viti 1993, pra më shumë se 30 vite, ku ato politike vlerësohen të mira dhe miqësore, me interes të përbashkët për zhvillim të mëtejshëm të tyre, sidomos pas Samitit të para pak kohësh që u zhvillua në Tiranë “Ukrainë – Evropa Juglindore””, tha ai.

“Marrëdhëniet morën një fokus të veçantë pas aneksimit të paligjshëm të Krimesë nga ana e Federatës Ruse. Që në fillim ne kemi mbajtur një qëndrim të qartë dhe të palëkundur në mbrojtje të integritetit territorial dhe sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës, çka është në një linjë me qëdnrimin e BE dhe SHBA-ve”, u shpreh Filo.

Ai nënvizoi se, “si bashkëpenëmbajtëse e Ukrainës përgjatë mandatit që kishim në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ne kemi qenë në frontin e parë, krahas vendeve partnere si SHBA, Britani e Madhe, Francë etj, në dënimin e shkeljes të së drejtës ndërkombëtare nga një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit që është Rusia, duke sulmuar dhe duke mos njohur sovranitetin e Ukrainës si shtet i pavarur”.

Filo theksoi më tej se, Shqipëria mbështet planin me 10 pika të presidentit ukrainas Zelensky, si mundësia më realiste për dhënien fund të luftës dhe arritjes së paqes së qëndrueshme.

“Së bashku me aktorë dhe vende të tjera kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunim në realizimin e pikës 5 që ka të bëjë me rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës, si një nga objektivat më imediatë të përfundimit të luftës”, tha Filo.

Ai shtoi se, “Samiti i 5 dhe 6 qershorit në Zvicër do të jetë i një rëndësie të veçantë, ku secili duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të hartuar një plan veprimi për paqen në Ukrainë”.

“Ambasada që po hapim do të angazhohet për krijimin e sa më shumë kontakteve dhe zhvillimin e vizitave në nivel të lartë, sidomos pas përfundimit të luftës, në mënyrë që jo vetëm të sjellim sa më afër të dy vendet tona, por të shfrytëzojmë të gjitha potenciale për bashkëpunim pas vlerësimit të drejtë që vendi ynë i bëri, jo vetëm Ukrainës, por edhe faktit se po tregon se vlerat demokratike duhet të mbrohen me çdo kush në kontinentin evropian dhe më gjerë”, u shpreh Filo.

Ai nënvizoi se, ky nivel i arritur në këtë plan duhet të jetë bazë edhe për marrëdhënie intensive në fusha të tjera me interes reciprok. Filo tha se, bashkëpunimi ekonomik nuk ka arritur ende nivelin e bashkëpunimit politik dhe diplomatik.

“Tregtia bëhet përmes vendeve të treta. Aktualisht kemi 63 kompani me pronësi ukrainase që operojnë në Shqipëri dhe në këtë kuadër kemi patur edhe një takim të bashkëkryetarëve të komisioneve ekonomike të përbashkët, një nënshkrim Memorandumi Mirëkuptimi midis Dhomave të Tregtisë dhe një konferencë të biznesit Ukrainë-Shqipëri”, tha Filo.

“Me Ukrainën kemi një kuadër të konsoliduar juridik, me rreth 15 marrëveshje të nënshkruara, të cilat prekin pothuajse të gjitha fushat e bashkëpunimit, nga ato të orientimit politik dhe strategjik, e deri tek mbrojtja e investimeve, turizmi, arsimi dhe shëndetësia”, tha Filo.

Filo shtoi se, “do të duhet të inkurajojmë autoritetet vendimmarrëse në Ukrainë, që të ndryshojnë qasjen edhe ndaj Kosovës”.

Për këtë, tha ai, “duhen marrë vendime të guximshme sa i përket vendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe si një realitet i pakthyeshëm nga ana e Ukrainës, do të zgjeronte rrethin e vendeve të rreshtuara krah së mirës dhe jo krah së keqes”.