Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, e konsideruar si të papranueshme gjuhën e përdorur nga kreu i AAK Ramush Haradinaj, ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili hodhi akuza se kreu i VV mund të jetë rekrutuar nga serbët gjatë kohës që ka qenë në burg.
“Akuzat se dikush është me Serbinë, përveç se mund ta vërtetojë se është ndryshe, duhet të përfundojnë”, ka thënë Abazi.
“Kurtit i ka rënë të fikët mbi 40 herë brenda natës nga maltretimet nga serbët. Tash një ish komandat si Ramush Haradinaj të tentojë që të krijojë një lidhje të shkurtë, është e papranueshme. Çfarë ka bërë Haradinaj sot ka qenë përsëritje e një tentimi të Hashim Thaçit, se thoshte se keni bërë takime me këtë apo atë”, tha ai.
“Ka tendencë që parlamenti të shndërrohet në hapësirë elektorale për zgjedhjet komunale”, vijoi Abazi. Gjatë seancës së djeshme të Kuvendit të Kosovës, Haradinaj iu drejtua Kurtit me fjalët: “Mos je njeri i rekrutuar nga Serbia”.
“A je i rekrutuar nga shërbimet serbe gjatë kohës që je mbajt në burg, a ka diçka Serbia mbi ty që po të mbanë peng sot e kësaj dite. A është në rrezik Kosova prej teje si i rekrutuar nga shërbimet serbe nga çlirimtarët që janë detyruar të mbajnë pushkën në dorë me luftu për lirinë e vendit. Kur shkon në Bruksel, trego të lutem çka po i sjell Kosovës me shkuarjen atje”, ka thënë Hardinaj.