Një sasi ende e papërcaktuar me cannabis sativa është kapur sot nga autoritetet malazeze në territorin e Malit të Zi, ndërsa u dyshua se droga vinte nga Shqipëria dhe kishte si destinacion Gjermaninë.

Policia e Shtetit në një njoftim për shtyp ka konfirmuar se droga vinte nga Shqipëria dhe kishte kaluar nga Pika Kufitare e Hanit të Hotit:

“Në Malin e Zi është kapur një kamion, brenda të cilit, autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi, kanë gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa.

Nga veprimet e para hetimore të përbashkëta të kryera nga autoritetet doganore dhe policore të Malit të Zi dhe të Policisë së Shtetit, paraprakisht rezulton se kamioni ka kaluar nga pika e kalimit kufitar Hani i Hotit, Shkodër.

Grupi hetimor i ngritur në Policinë e Shtetit po vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale në territorin e vendit tonë, duke koordinuar veprimet me palën malazeze.

Informacion më të detajuar do japim në përfundim të veprimeve të para hetimore.”, thuhet në komunikatë