Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “TARGET”.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Librazhd, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Elbasan.
Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar.
Sekuestrohen rreth 7.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme të territorit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “TARGET”.
Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narktotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasi Thoma Karamuça 50 vjeç, banues në fshatin Babje, Librazhd.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke të pyllëzuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, gjetën 61 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 14 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në vazo plastike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu, në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së 50-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 7.3 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.